Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Gjorgje Raduloviq, ka thënë se qeveria malazeze nuk do të fillojë procedurë për tërheqjen e njohjes së Kosovës.
Kështu, sipas tij, marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve do të vazhdojnë me dinamikën aktuale.
Shefi i diplomacisë malazeze ka përsëritur se qeveria në Podgoricë gjithashtu nuk mund të tërheqë vendimin për përjashtimin e ambasadorit serb, Vladimir Bozhoviq, pasi kjo do të shkelte konventat, raporton RTCG, përcjell Gazeta Sinjali.
“Qeveria malazeze, siç e thashë, nuk mund të tërheqë vendimin për të shpallur Bozhoviqin një person ‘non grata’ pa shkelur konventat. Duke qenë se jemi në shtëpinë e ligjit, nuk mund të pres që dikush t’i kërkojë kësaj qeverie shkeljen e ligjeve dhe konventave janë gjithashtu një lloj ligji”, shtoi ai.
Këto komente ministri malazez i bëri në seancën parlamentare që është duke i zhvilluar punimet atje./Gazeta Sinjali/