image Kroacia me mbështetje për vendet e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE

Evropë

Kroacia me mbështetje për vendet e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE

news image

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grliq Radman, ishte pjesëmarrës në takimin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” që u mbajt në Vjenë.

Në këtë takim, Radman konfirmoi mbështetjen e Kroacisë për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Në mbledhjen e sotme u miratua Deklarata, e cila synon të inkurajojë vendet fqinje në rrugën evropiane, bazuar në arritjet e tyre, duke afirmuar vlerat e përbashkëta, sundimin e ligjit dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë”.

“Ata diskutuan bashkëpunimin ekonomik, duke përfshirë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Republika e Kroacisë mbështet forcimin e bashkëpunimit ekonomik në zonën e Ballkanit Perëndimor me qëllim reduktimin e hendekut ekonomik. Hyrja e vendeve të Evropës Juglindore në tregun e përbashkët do të inkurajojë më tej investimet dhe do të mundësojë rritje më të fortë ekonomike dhe bashkëpunim të ndërsjellë”, thuhet në njoftimin e MPJ-së kroate.

Më tej, ministria e Punëve të Jashtme kroate tha se Kroacia është e përkushtuar ndaj rritjes së diversifikimit të energjisë në rajon, në mënyrë që sipas tyre, të lidhet më mira Evropa Qendrore me atë Juglindore dhe të arrihet një siguri më e madhe energjetike.

“Republika e Kroacisë mbështet Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor si një pjesë kyçe e transformimit të këtyre vendeve në rrugën evropiane”, thuhet në njoftim.

Pjesë e takimit të vendeve anëtare të BE-së “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” që u mbajt në Vjenë ishte edhe Kosova, e cila u përfaqësua nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.

/GazetaSinjali/