image Kriza në QKUK: Anesteziologët e pensionuar mund t’i rikthehen punës në spital

Shëndetësi

Kriza në QKUK: Anesteziologët e pensionuar mund t’i rikthehen punës në spital

news image

Derisa anesteziologët e QKUK-së po vazhdojnë të largohen jashtë vendit dhe në institucionet private, ata që u pensionuan po e shqyrtojnë ofertën e ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, për bashkëpunim në mungesë të këtij kuadri.

Aktualisht janë 47 profesionistë të anesteziologjisë të angazhuar në 40 njësi brenda QKUK-së. Kjo situatë ka krijuar lista të gjata të pritjes dhe prioritet mbeten vetëm rastet urgjente.

Specialisti Hysen Hyseni është një nga anesteziologët që është pensionuar në QKUK tash e dy vjet, por angazhimin profesional e vazhdon në institucione të tjera private.

Hyseni bashkë me 7 anesteziologë të tjerë pensionistë mund të rikthehen në klinikat ku punuan, pasi ministri i Shëndetësisë po i sheh si potencial që mund të bëjnë zgjidhje në kohën kur klinika e mjekimit intenziv po përballet me mungesë të tyre.

Ata janë të gatshëm të ndihmojnë, por i kanë disa kushte.

“Ne do ta shqyrtojmë ofertën e ministrit por ne kërkojmë që të kemi edhe kompensim financiar edhe pozicionim”, tha Hyseni.

Drejtori i Klinikës së Mjekimit Intensiv, Gazmend Spahiu, thotë se këta profesionistë janë të mirëpritur për t’u angazhuar.

“Janë të mirëpritur të vijnë të na ndihmojnë me qëllim të kryerjes së rasteve që janë në listë të pritjes. Ata kanë përvojë të gjatë dhe mund të kontribuojnë”, tha Spahiu.

Por, këtë zgjidhje nuk e konsideron si më të mirën, kryetarja e komisionit parlamentar për shëndetësi, Fatmire Kollçaku.

“E para duhet me i motivuar mjekët që i kemi aty, zgjidhjet tjera janë afatshkurtër”, ka thënë Kollçaku, raporton RTK.

Ndërkaq, nga QKUK-ja pritet të largohen edhe disa anesteziologë, që ende nuk e kanë bërë kërkesën zyrtarisht.

“Jo zyrtarisht janë edhe 3 apo 4 kolegë që janë të interesuar që të largohen”, shtoi Spahiu.

Edhe mjekët nga mërgata të cilëve u janë lehtësuar procedurat për t’u kthyer me punë në Kosovë kanë disa kushte, ndërsa më të gatshëm janë ata që kanë kaluar të 50-tat.

/GazetaSinjali/