image Kriza me rrymë/ Aksioni që përfundoi me sekuestrimin e 70 aparateve për prodhimin e kriptovalutave

Siguri

Kriza me rrymë/ Aksioni që përfundoi me sekuestrimin e 70 aparateve për prodhimin e kriptovalutave

news image

Policia e Kosovës në dy aksione të ndara njoftoi se ka sekuestruar 70 aparate për prodhimin e kriptovalutave.

Sipas njoftimit, 67 aparate u sekuestruan në një banesë në rrugën “Fan Noli” në Mitrovicë të Jugut.

“Për pajisjet e gjetura dhe veprimtarinë e kundërligjshme hetuesit policor kanë identifikuar personin e dyshuar”, thuhet në njoftim.

Kurse, tre aparate për prodhimin e kriptovalutave u sekuestruan në fshatin Surkish të Komunës së Podujevës.

Ky operacion u krye nga Njësia e Reagimit të Shpejtë, e mbështetur nga ekipet e Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).

“Marrë parasysh procedurat ligjore lidhur me këtë rast janë njoftuar zyrtarët përgjegjës të Doganës së Kosovës dhe në koordinim me ta do të ndërmerren veprimet e mëtejme”, njoftoi Policia.

Qeveria e Kosovës më 4 janar njoftoi se do të ndalojë prodhimin e kriptovalutave, pasi dyshohet se pajisjet që përdoren për të prodhuar ato, shkaktojnë konsum të lartë të energjisë elektrike.

Kosova po përballet me krizë energjetike për shkak të rritjes së çmimeve të importit të rrymës, gjë që ka bërë që autoritetet të shpallin masa emergjente.

/GazetaSinjali/