Zyrtarët e industrisë së telekomunikacionit thonë se druhen që një dimër i ashpër do të vërë në vështirësi infrastrukturën e telekomunikacionit në Europë, duke i detyruar kompanitë dhe qeveritë që të bëjnë përpjekje për të zbutur ndikimin e tij.
Aktualisht, sistemet rezervë që përdoren për të përballuar ndërprerjet e përmasave të mëdha të energjisë nuk janë të mjaftueshme në shumë vende europiane, sipas katër drejtuesve në industrinë e telekomunikacionit, duke shtuar kështu mundësitë për ndërprerje të funksionimit të sektorit të telefonisë celulare.
Vendet e Bashkimit Evropian, duke përfshirë Francën, Suedinë dhe Gjermaninë, po përpiqen të sigurojnë vazhdimësinë e komunikimeve, edhe nëse ndërprerjet e energjisë do të sjellin nxjerrjen jashtë loje të baterive rezervë të instaluara në mijëra antena celulare që ndodhen në gjithë territorin e këtyre vendeve.
Evropa ka gati gjysmë milioni antena të larta që shërbejnë për sektorin e telekomunikacionit dhe shumica e tyre kanë bateri rezervë që zgjasin rreth 30 minuta për të mundësuar funksionimin e antenave celulare.
Franca
Në Francë, plani i paraqitur nga organizata e shpërndarëjes së energjisë elektrike Enedis, përfshin ndërprerje të mundshme të energjisë për deri në dy orë në skenarin më të keq të mundshëm, sipas dy burimeve për Reuters.
Ndërprerjet e përgjithshme do të preknin vetëm disa pjesë të vendit, por jo njëkohësisht. Shërbimet më të rëndësishme, të tilla si spitalet, policia dhe qeveria nuk do të ndikohen nga këto ndërprerje, thanë burimet.
Qeveria franceze, operatorët e telekomunikacionit dhe Enedis, një njësi e ndërmarrjes shtetërore EDF, kanë zhvilluar bisedime lidhur me këtë çështje gjatë verës, sipas qeverisë franceze dhe burimeve për Reuters.
Federata Franceze e Telekomunikacionit (FFT), një grup lobimi që përfaqëson Orange, Bouygues Telecom dhe SFR, e vuri përgjegjësinë mbi Enedis, për pamundësinë e saj për t’u siguruar që antenat e telekomunikacionit të mos preken nga ndërprerjet e energjisë.
Enedis tha në një deklaratë për Reuters se të gjithë klientët e rregullt trajtohen në mënyrë të barabartë, në rast të ndërprerjeve të jashtëzakonshme të energjisë.
Organizata e shpërndarjes së energjisë elektrike tha se ishte në gjendje të izolonte disa pjesë të rrjetit, për të furnizuar klientët me më shumë përparësi, si për shembull spitalet, komplekset kryesore industriale dhe ushtrinë, si dhe shtoi që u takonte autoriteteve lokale që të bëjnë pjesë të listës së klientëve prioritarë edhe infrastrukturën e operatorëve të telekomunikacionit.
Suedia, Gjermania dhe Italia
Kompanitë e telekomunikacionit në Suedi dhe në Gjermani kanë ngritur gjithashtu shqetësime për mungesat e mundshme të energjisë elektrike, duke i adresuar këto shqetësime me qeveritë e tyre respektive, thanë disa burime për Reuters.
Agjencia rregullatore e telekomunikacionit në Suedi, PTS, po punon me operatorët e telekomunikacionit dhe me agjencitë e tjera qeveritare për të gjetur zgjidhje. Kjo punë përfshin edhe bisedimet për atë që do të ndodhë nëse do të ketë kufizime të energjisë elektrike.
PTS po financon blerjen e stacioneve të transportueshme të karburantit dhe të stacioneve bazë celulare, të cilat mund të lidhen me telefonat celularë për të përballuar skenarin e ndërprerjeve të gjata të energjisë, tha një zëdhënës i PTS.
Agjencia italiane e lobimit në fushën e telekomunikacionit tha për Reuters se ajo kërkon që rrjeti celular të përjashtohet nga çdo ndërprerje e energjisë elektrike ose kufizim i furnizimeve për të ruajtur energjinë, si dhe deklaroi që do ta ngrejë këtë çështje me qeverinë e re të Italisë.
Ndërprerjet e energjisë rrisin mundësinë që komponentët elektronikë të dëmtohen në rast të ndërprerjeve të menjëhershme të energjisë elektrike, tha në një intervistë drejtuesi i agjencisë italiane të lobimit në fushën e telekomunikacionit, Massimo Sarmi.