image Kriza energjetike "nuk zgjidhet me komisione hetimore" - Sinjali

Kriza energjetike “nuk zgjidhet me komisione hetimore”

news image

Komisionet parlamentare hetimore nuk mund t’i zgjidhin problemet në sektorin e energjisë në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë, eksperti i energjisë dhe ish-ministër i këtij sektori, Ethem Çeku.

Sipas tij, prioritet i Kosovës duhet të jetë hartimi i një strategjie për këtë sektor.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po kërkojnë që sektori i energjisë t’i nënshtrohet një hetimi që do të mund ta bënte një komision parlamentar hetimor.

Partitë opozitare në Kuvend tash e një kohë po kërkojnë të hetohen të gjitha masat e ndërmarra gjatë periudhës së shpalljes së gjendjes emergjente për energjinë, për të cilën Kuvendi kishte votuar në fund të vitit të kaluar. Këto masa përfshinin: vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë. Rrjedhimisht, në Kosovë ka ardhur edhe deri te shtrenjtimi i rrymës.

Ndërsa, partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje gjatë një seance, të enjten (28 prill), ka kërkuar të bëhen hetime në pothuajse tërë sektorin e energjisë në më shumë se 16 vjetët e fundit. Kjo parti po kërkon të bëhet hetimi i investimeve kapitale në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) në periudhën 2006-2022, investimet kapitale në distribucionin e energjisë elektrike pas privatizimit dhe burimet nga ku janë bërë ato investime.

Po ashtu, LVV-ja po kërkon të bëhen hetime për kontratat e lidhura për blerje të energjisë elektrike nga viti 2006 deri më 2022, punësimet e bëra nga viti 2006 deri në prill të këtij viti dhe shumë çështje tjera në sektorin e energjisë.

“Pozita dhe opozita duhet të ndërtojnë një konsensus për strategjinë e ardhshme të zhvillimit të sektorit të energjisë. Çështjet e devijimit mund të jenë çështje të organeve të drejtësisë, kurse kjo pjesa që është më vitale, më e rëndësishme është se si të ndërtohet një strategji për të dalë nga kriza e thellë në sektorin e energjisë, në të cilën ka hyrë Kosova”, thotë ish-ministri i Energjisë në Kosovë, Ethem Çeku.

“Energjia alternative që po ndihmohet nga mekanizmat ndërkombëtarë e ndihmon sektorin e energjisë, por nuk e zgjidh problemin e energjisë”, shtoi ai.

Qeveria e Kosovës, më 18 nëntor të vitit 2021, pati prezantuar grupin punues për hartimin e një strategjie të ngjashme.

Atëbotë ishte thënë se Strategjia Kombëtare e Energjisë 2022-2031 “do të sigurojë një tranzicion energjetik, që për vizion ka dekarbonizimin deri në vitin 2050”.

Po ashtu, ishte thënë që kjo strategji do të ruajë sigurinë energjetike dhe të përballueshme për konsumatorët, rritë përdorimin e energjisë së pastër dhe siguron integrim rajonal të tregut të energjisë në një mënyrë ekonomikisht të qëndrueshme.

Deri më tani kjo strategji nuk është publikuar nga autoritetet.

Disa nga problemet themelore, me të cilat ballafaqohet sektori i energjisë në Kosovë janë: ngecjet në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike nga linjiti dhe rehabilitimi i atyre ekzistuese, pamjaftueshmëria e kapaciteteve të gjenerimit për mbulimin e ‘pikut’ në sezonin dimëror, humbjet e konsiderueshme teknike dhe komerciale të energjisë elektrike në rrjetin e shpërndarjes, mosshfrytëzimi i duhur i potencialit të burimeve të ripërtërishme të energjisë.

Sipas Ligjit për hetim parlamentar për themelimin e një komisioni të përhershëm parlamentar kërkohet përkrahja e një të tretës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Komisionet themelohen për të hetuar probleme, çështje ku janë drejtpërsëdrejti të përfshira përgjegjësitë qeveritare apo shtetërore.

Po ashtu, ato themelohen me qëllim të konstatimit, përshkrimit të rrjedhës së ngjarjeve apo me qëllim të qartësimit të asaj se çfarë ka ndodhur dhe përcaktimit të përgjegjësisë së atyre që kanë qenë të përfshirë.

Ligji parasheh që komisioni themelohet me qëllim edhe të informimit, rekomandimit, ushtrimit të mbikëqyrjes parlamentare dhe të arritjes së një përfundimi.

Themeli i një komisioni parlamentar nga partitë opozitare është thënë se është instrumenti kryesor që e ka opozita në dispozicion, por, si i tillë po mundohet t’iu mohohet në Kuvend. Opozita për këtë e ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, se po mundohet ta pamundësojë krijimin e komisionit.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, gjatë seancës së Kuvendit tha se e mbështesin vetëm një komision, i cili do të hetojë të gjitha pikat që i ka propozuar kjo parti, ku janë përfshirë edhe çështjet e propozuara nga partitë opozitare.

“Është i rëndësishëm themelimi i komisionit hetimor në kohën kur Kosova është duke përgatitur orientimin e vet në sektorin e energjisë”, tha Kusari.

Me propozimin e Vetëvendosjes nuk u pajtua shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Abelard Tahiri.

Ai tha se komisioni hetimor ka mandat gjashtëmujor për të bërë hetime, dhe sipas tij “është e pamundur të hetohen të gjitha çështjet brenda kësaj periudhe”.

“Ne jemi shumë dakord që të hetohet nga viti 1999, çdo zhvillim që ka ndodhur sa i përket sektorit të energjisë në Kosovë, por komisioni hetimor ka mandat 6 muaj. Edhe nëse punohet 12 orë në ditë nuk mund të përmblidhen të gjitha këto gjëra”, tha Tahiri.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se janë të hapur për çdo hetim në çështjet për të cilat kërkohet të krijohet komision parlamentar hetimor.

Nuk kemi asgjë për të fshehur”, tha ajo.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se komisioni hetimor për energjinë, i cili është propozuar është kushtetues dhe pa asnjë ndryshim duhet të miratohet. Ai i kundërshtoi ndërhyrjet e partisë në pushtet.

E keni premtimin publik të deputetëve të LDK-së se ne e votojmë formimin e një komisioni për hetimin e sektorin e energjisë që nga vitit 1999, por komision tjetër i veçantë, jo ky. Ky që është kërkuar me 40 nënshkrime dhe duhet të bëhet sipas fushës së objektit të kërkuar, nuk mund të ndryshohet me ndërhyrje të pushtetit”, tha Gashi.

Diskutimet mbi sektorin e energjisë në Kosovë kanë filluar në fund të vitit të kaluar kur në Kosovë filluan reduktimet e energjisë elektrike, si pasojë e një krize globale energjetike.

Situata energjetike është përkeqësuar pasi konsumi i energjisë nuk po mund të mbulohet nga kapacitetet prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Atëbotë janë prodhuar deri në 600 megavatë rrymë në orë, kurse konsumi ka arritur deri në 1,400 megavatë në orë.

Kuvendi i Kosovës në fund të vitit 2021 miratoi masat emergjente të Qeverisë së Kosovës lidhur me furnizimin e energjisë elektrike.

Për shkak të mungesës me furnizim me energjinë dhe rritjen e çmimeve të importit, Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) prezantoi tarifat me rritje dhe Qeveria e Kosovës u zotua se do të subvenciononte me 90 milionë euro konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë energji elektrike.

Në fillim të prillit, Gjykata Themelore e Prishtinës ka pezulluar vendimin për shtrenjtimin e rrymës, duke vendosur masë të parakohshme deri në marrjen e një vendimi përfundimtar për këtë çështje.

Por, me gjithë urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për të pezulluar vendimin për shtrenjtimin e rrymës – të marrë nga Zyra e Rregullatorit për Energji – qytetarët e Kosovës edhe këtë muaj janë faturuar me çmime të rritura.

Kosova, sasinë më të madhe të energjisë elektrike e prodhon nga djegia e thëngjillit në termocentralet e Obiliqit. Edhe pse termocentralet e Kosovës janë në mesin e ndotësve më të mëdhenj në Evropë, Kosova ende nuk ka afate të qarta për zvogëlimin apo braktisjen e prodhimit të energjisë elektrike përmes djegies së thëngjillit.

Problemi me furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike në Kosovë ishte theksuar edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për Klimën e Investimeve të publikuar në vitin 2020.

Distribucioni i Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS) është privatizuar në vitin 2013 nga konsorciumi turk “Çalik-Limak” për 26.3 milionë euro.

I njëjti kishte premtuar se për 15 vjetët e ardhshëm do të bëjë investime prej 300 milionë eurosh për distribuimin e energjisë elektrike. Nga shoqëria civile kanë thënë se KEDS-i ka dështuar në realizimin e investimeve të premtuara.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin