image Kriza aktuale ekonomike, është gjithashtu edhe një krizë e demokracisë

Analizë

Kriza aktuale ekonomike, është gjithashtu edhe një krizë e demokracisë

news image

Pandemia COVID-19 po shkakton dëme ekonomike në mbarë botën. Dhe ky dëm mund të ketë një efekt tinëzar: gërryerjen e besimit tek demokracia, veçanërisht tek të rinjtë. Sipas Institutit Benet për Politika Publike në Universitetin e Kembrixhit, të rinjtë e brezit të mijëvjeçarit, janë më të zhgënjyer nga demokracia se sa çdo brez tjetër në të njëjtën fazë të jetës.

Shkruar nga Amanda Dickerson / Atlantic Council

Ndërkohë niveli i tyre i tanishëm i besimit tek sistemi demokratik, mbetet më i ulët se ai i çdo grupmoshe tjetër. Në mbarë botën, kënaqësia e të rinjve me demokracinë është në rënie. 55 për qind brezit të mijëvjeçarit të ri, thonë se janë të pakënaqur me demokracinë, ndërsa më pak se gjysma e Gjeneratës X e fundviteve 1900, raportuan pakënaqësi të tilla në të njëjtën moshë.

Sipas raportit, ky zhgënjim nuk është thjesht çështje moshe. Përkundrazi, ndryshimet midis brezave mund të jenë rezultat i ngjarjeve të dekadës së fundit, përfshirë pasojat e krizës globale financiare, dhe rritjes së madhe të pabarazisë. Dhe sipas Qendrës Kërkimore Pju, 2 nga arsyet kryesore pse njerëzit në të gjithë botën, kanë më shumë të ngjarë të jenë të pakënaqur me demokracinë, kanë të bëjnë me ekonominë.

Ata që nuk mendojnë pozitivisht për kushtet ekonomike të vendit të tyre, dhe që nuk besojnë se një njeri i zakonshëm ka parë përmirësim të gjendjes së tij financiare në 20 vitet e fundit, janë më të prirë për të shprehur një pakënaqësi të tillë.

Sistemi ekonomik që ka funksionuar në GjeneratënX dhe të Baby Boomers nuk funksionon më për brezin e mijëvjeçarit të ri. Dhe zhgënjimet mbi këtë realitet po zbehin vlerësimin për vetë demokracisë. Kjo humbje e besimit nuk është për t’u habitur, duke marrë parasysh botën me të cilën po përballen sot të rinjtë, transmeton Bota.al.

Për shembull, në Shtetet e Bashkuara studentët e diplomuar në vitin 2020, hynë në një treg pune të dëmtuar rëndë nga papunësia e lartë, dhe të ngarkuar me pasoja financiare dhe profesionale që mund të zgjasnin 10-15 vjet pas diplomimit. Vitin e kaluar, universitetet amerikane nxorën gati 2 milionë të diplomuar me diploma ‘Bachelor’ pikërisht në recesionin më të keq në SHBA që nga koha e Depresioni i Madh.

Për më tepër, disa prej këtyre të diplomuarve, për më tepër, nuk kishin qasje në përfitimet e papunësisë. Ata që punonin ndërsa vazhdonin shkollë, apo kishin një punë të sigurt pasi u diplomuan, patën mundësi të korrnin përfitime nga studimet e tyre.

Por ata që nuk kishin një ofertë konkrete pune, dhe pa asnjë përvojë të mëparshme punësimi, ishin të përjashtuar. Sot, 3 në 10 të rinj në SHBA nuk punojnë as gjatë kohës që janë në shkollë. Të diplomuarit e fundit në universitete ishin tashmë të ngarkuar me një borxh, që tani kanë arritur një total prej 1.7 trilionë dollarësh, duke tejkaluar hua të e marra për blerjen e makinave, madje edhe borxhet e kartave të kreditit.

Më gjerësisht, brezat e rinj në SHBA po bartin pasojat e krizës globale financiare që ndodhi më shumë se një dekadë më parë. Jeta e tyre tani është e diktuar nga dy recesione të mëdha, që u ka kufizuar mundësitë ekonomike, dhe e ka vështirësuar ndjekjen e një kursi të ngjashëm ekonomik me atë të brezave të vjetër.

Kjo vuajtje specifike e të rinjve në këtë krizë, dhe kërcënimi që kriza paraqet jo vetëm për mirëqenien e tyre por edhe atë të demokracisë, duhet të jetë në vëmendjen kryesore të anëtarëve të Kongresit ndërsa ata hartojnë skemën e rimëkëmbjes ekonomike.

Ligjvënësit duhet të eksplorojnë mundësinë e krijimit të një agjende rinore, që përfshin përfitime të zgjeruara të papunësisë për të sapodiplomuarit dhe studentët, dhe politikat që synojnë krijimin e sa më shumë vendeve të reja të punës, përmes programeve të infrastrukturës apo investimeve në energji të qëndrueshme.

Hapi i parë i madh mund të jetë edhe rishikimi i kostos së arsimit të lartë. Kriza e borxhit studentor vetëm sa po përkeqësohet. Studentët janë të detyruar të zgjedhin midis akumulimit të një borxhit dëmtues, apo kufizimit të perspektivave të tyre në të ardhmen.

Në përgjigje të thirrjes së presidentit Biden për garantimin e arsimit falas në universitetet publike për studentët me të ardhura familjare nën 125.000 dollarë në vit, dhe për faljen e 10.000 dollarëve nga borxhi studentor i të çdo diplomuari, Kongresi mund të fillojë të shkurtojë borxhin e stërmadh prej 1.7 trilionë dollarësh.

Washingtoni dështoi që të riparojë të çarat e mëdha ekonomike që la pas kriza financiare globale. Nëse synohet që të parandalohet zhgënjimi i mëtejshëm i brezave të rinj me kushtet e tyre ekonomike dhe vetë demokracinë, Shtetet e Bashkuara nuk duhet të bëjnë sërish të njëjtin gabim./Gazeta Sinjali/