image Krimi në Lipjan, Policia gjen dy armë në shtëpinë ku burri vrau gruan dhe djalin, më pas veten

Siguri

Krimi në Lipjan, Policia gjen dy armë në shtëpinë ku burri vrau gruan dhe djalin, më pas veten

news image

Shtëpia e familjes Bekteshi në Rufc të Lipjanit pasditen e së premtes u shndërrua në skenë krimi. Kryefamiljari, Abedin Bekteshi, dyshohet se privoi nga jeta bashkëshorten dhe djalin e tyre, Arditin e më pas edhe veten, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dyshohet që dorasi në fund ka bërë vetëvrasje.

Sipas informacioneve të para, i gjithë akti makabër dyshohet se u krye me armë zjarri.

Nga Policia kanë deklaruar për Sinjalin se vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor që doli ne vendin e ngjarjes.

Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë, ndërsa edhe pas kontrollimit të shtëpisë është gjetur edhe një armë tjetër me dy fishekë.

“Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar ka vrarë bashkëshorten dhe djalin e tij e më pas ka kryer vetëvrasje. Njësitë relevante policore dhe prokurori i shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një revole e cila dyshohet se janë përdorur në rast dhe 4 gëzhoja. Gjatë kontrollit në një dhomë të shtëpisë është gjetur dhe sekuestruar edhe një revole tjetër me dy fishekë. Me urdhër të prokurorit trupat e pajetë janë tërhequr nga zyrtarët e IML-së.”, ka informuar Policia.

Kurse, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, tha se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rastit.

“Lidhur me rastin i cili ndodhi sot në fshatin Rufc të Lipjanit, ju njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe bashkë me njësitë relevante janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore nga vendi i ngjarjes, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të këtij rasti.

Sipas informatave nga vendi i ngjarjes, dyshimet çojnë drejt vrasjes së dy viktimave nga arma e zjarrit, si dhe një vetëvrasjeje (brenda familjes)”, tha Ulaj.

Kujtojmë se Komuna e Lipjanit ka marrë vendim për t’i pezulluar të gjitha aktivitetet që ishin të dedikuara për mërgatën, për shkak të tragjedisë.

/GazetaSinjali/