image Krimi monstruoz që tronditi vendin: Gati 24 orë nga vrasja e gruas shtatzënë, Policia akoma s’e ka kapur të dyshuarin

Siguri

Krimi monstruoz që tronditi vendin: Gati 24 orë nga vrasja e gruas shtatzënë, Policia akoma s’e ka kapur të dyshuarin

news image

Ishte shtrirë në Klinikën e Gjinekologjisë pasi që vetëm edhe pak ditë i kishin mbetur deri në sjelljen në jetë të fëmijës së saj të parë. Hamide Magashi nga fshati Llugaxhi i Lipjanit, nuk i diti lezet e as gëzim shtatzënisë. Gjatë nëntë muajve ajo ishte maltretuar psiqikisht e fizikisht nga bashkëshorti i saj, Sokol Halili, me të cilin kishte vendosur që të ndahej. E udhëtimi për në spital, doli të jetë i fundit për 35-vjeçaren. Ish-bashkëshorti i saj dyshohet se e vrau atë në mënyrë mizore para dyerve të Gjinekologjisë, një ditë para se të lindte foshnjën e saj, raporton Gazeta Sinjali.

Edhe një orë e gjysmë bëhen 24 orë nga momenti tragjik dhe i dyshuari akoma s’ka rënë në prangat e Policisë. Operacioni për kapjen e tij ka nisur qysh mbrëmë pas identifikimit nga hetuesit policorë, por përkundër kërkimeve në disa lokacione, ai nuk është kapur.

Halili që po e shijon lirinë nga arratia ka ikur mbrëmë nga vendi i ngjarjes me veturën e tij, të cilën Policia e gjeti sot në në sheshin “Ahmet Shtimja”.

Ndërkohë Sinjali mëson se Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në katër lokacione në qytetin e Vushtrrisë, për shkak se telefoni i Halilit ka rezultuar me qasje pikërisht në këtë qytet, shkruan Sinjali.

Në anën tjetër, Policia ka shpallur në kërkim 31-vjeçarin dhe madje ka kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve të cilët mund të kenë informacione për vendndodhjen e tij.

Hamide Magashi e cila ishte në javën e 41-të të shtatzënisë dhe po priste të sillte në jetë një djalë, u ekzekutua me armë zjarri nga ish bashkëshorti i saj, Sokol Halili, 31-vjeçar, i cili me të kryer veprën është larguar në drejtim të panjohur me veturën e tij, e cila tashmë është gjetur nga Policia.

Rrëfimet e dhimbshme të familjarëve

Motra e gruas shtatzënë, ka thënë për mediat se viktima ka qenë vazhdimisht viktimë e dhunës në familje. Sipas familjares së saj, viktima ka qenë e martuar për tre muaj me bashkëshortin e saj, mirëpo vazhdimisht ka qenë nën presion.

“Nuk e kanë lënë që të vijë asnjëherë te shtëpia e babait që të bëhemi bashkë ne motrat”.

Sipas motrës së saj, viktima ishte planifikuar që të kryente lindjen më 1 dhjetor. “Unë kam folur një ditë më parë në telefon dhe me të dhe e kam pyetur nëse është mirë, ajo më tha se është mirë dhe që të nesërmen do ta kryejë lindjen me operacion në orën 09:00”.

Ajo ka thënë se motra e saj e ka lajmëruar dhunën edhe te autoritetet e rendit dhe ligjërisht i është ofruar mbrojtje. “Ajo ka thënë se ka mbrojtje, por askush në mbrojtje nuk i ka dalë”.

(Mos)veprimet e institucioneve

Gjykata Themelore në Ferizaj ka konfirmuar se viktima ka pasur urdhër për mbrojtje.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka konsideruar papërgjegjësi institucionale këtë vrasje dhe ka thënë se “sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë do të mund të ishte parandaluar”.

“Viktima kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin për dhunë psikike dhe fizike, dhe prokuroria, personin e dyshuar e kishte liruar në procedurë të rregullt. Është një papërgjegësi institucionale, është papërgjegjësi e prokurorit të rastit, sepse ne në vazhdimësi po bëjmë thirrje që të mbrohen jetët e grave dhe vajzave”.

Sipas vendimit, urdhri për mbrojtje i ishte lëshuar për gjashtë muaj, përkatësisht prej 13 gushtit të këtij viti deri më 13 mars të vitit të ardhshëm.

Sipas Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje, urdhri për mbrojtje lëshohet “me qëllim të parandalimit të dhunës në familje, për mbrojtjen e personit që i është ekspozuar dhunës, duke mënjanuar rrethanat që ndikojnë apo mund të ndikojnë në kryerjen e veprave tjera”.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka bërë të ditur po ashtu se i dyshuari për kryerjen e vrasjes është shpallur fajtor këtë vit për posedim të paautorizuar të armës dhe ka aktakuzë për veprën penale të kanosjes.

Sipas komunikatës, Gjykata ka refuzuar kërkesën e të pandehurit për hedhje poshtë të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ministrja Haxhiu ka thënë se Ministria e Shëndetësisë, qendrat për punë sociale dhe institucionet tjera, kanë marrë përgjegjësi për të verifikuar çdo veprim institucional të lidhur me këtë vrasje.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se nga momenti kur ka ndodhur rasti ka kërkuar raporte të detajuara nga institucionet e rendit që nga pranimi i informatës së parë zyrtare, deri në momentin e aktit makabër.

“Në të njëjtën kohë kam kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti, në secilën instancë. Pa asnjë dilemë, sapo të pranoj zyrtarisht raportet e kërkuara, do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka thënë gjithashtu se ka kërkuar nga Policia e Kosovës angazhim maksimal për arrestimin e menjëhershëm dhe sjelljen para drejtësisë të “kriminelit dhe vrasësit të dyfishtë, Sokol Halili”.

Nisjen e hetimeve të Inspektoratit Policor të Kosovës e kanë konfirmuar për Gazetën Sinjali nga ky institucion. Në një përgjigje për Sinjalin thuhet se kanë nisur një hetim paraprak, lidhur me veprimet apo mos veprimet e zyrtarëve policorë në trajtimin e rastit të vrasjes së Hamide Magashit.

“Ju konfirmojmë se Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar filluar një hetim paraprak”, thonë nga IPK.

Më tej Inspektorati Policor i Kosovës tregojnë se kanë autorizuar një grup hetimor të veçantë të zyrtarëve nga dy nga  departamentet operative  të IPK-së (Departamenti i Hetimeve dhe Inspektimeve) të cilët janë angazhuar në grumbullimin e të dhënave lidhur me veprimet apo mos veprimet e zyrtarëve policorë në trajtimin e rasteve që lidhen me incidentin në fjalë.

“Veprimet tjera do të ndërmerren bazuar në autorizimet ligjore të Inspektoratit Policor të Kosovës në koordinim me institucionet tjera relevante”, thanë nga Inspektorati Policor i Kosovës.

/GazetaSinjali/