Një përleshje e armatosur që rezultoi me vrasjen e 39-vjeçarit, Kastriot Ramadani, teksa mbetën të lënduar e të plagosur edhe 17 persona të tjerë, tronditi kryeqytetin mbrëmë. Të dyshuar për ngjarjen tragjike në lokalin e njohur ‘Bon Vivant’, është Andi Pajaziti, i cili ndodhet në spital dhe ndaj të njëjtit është lëshuar urdhër për ndalim, Hysni Geci dhe Gzim Zakuti. Kurse i shumëkërkuari nga FBI, i dyshuar për këtë rast, Dukagjin Nikollaj, ndodhet akoma në arrati, raporton Gazeta Sinjali.
Reagime të shumta pati, duke u kritikuar lokali, por më së shumti organet e rendit, për dorën e butë në nxjerrjen e masave të sigurisë ndaj personave me të kaluar kriminale.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë me detaje rreth ngjarjes së rëndë, ku përmes një komunikate për media bëri të ditur se është konstatuar se nga arma e zjarrit kanë rezultuar të plagosur 7 persona, ku njëri nga ta si pasojë nga plagët e marra ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës.
“Më datën 04.08.2023 në orët e mbrëmjes, prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë është njoftuar nga ana e Policisë së Kosovës, që në rrugën ‘Rexhep Luci’ në Prishtinë respektivisht në lokalin ‘Bon Vivant’, ka të shtëna me armë zjarri. Me të marrë informacionin, prokurori i shtetit bashkë me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ka konstatuar se si pasojë e të shtënave ka persona të plagosur. Është konstatuar se nga arma e zjarrit kanë rezultuar të plagosur 7 persona, ku njëri nga ta si pasojë nga plagët e marra ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës. Ndërsa 13 persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore nga gërvishtjet e xhamave apo nga gjësendet tjera. Të gjithë kanë kërkuar ndihmë mjekësore”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovë janë duke punuar në drejtim të identifikimit të personave të implikuar në këtë rast me qëllim të zbardhjes së plotë të ngjarjes, teksa rasti është cilësuar ‘Vrasje të rëndë’, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Pjesëmarrje në rrahje’.
“Ajo që është më rëndësi të ceket se një person gjendet në arrati, ndërsa është konstatuar se gjithë të dyshuarit kanë të kaluar kriminale”, thekson Prokuroria.
Ndryshe, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi të shtunën se do të krijohet një task-forcë e re për hetimin e krimeve të rënda, pas këtij rasti.
“Ministria e Brendshme në kuadër të strategjisë kundër krimit të organizuar do të inicojë themelimin e një taskforce për hetimin e thellë, jo vetëm të këtij rasti, por edhe të rasteve të tjera të ngjashme”, shkroi Sveçla në një reagim në Facebook më 5 gusht.
Svelça njoftoi se “palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetëra vepra të mëhershme penale”, duke e fajësuar sistemin e drejtësisë se po i lë të lirë të dyshuarit për vepra të rënda.
“Edhe sot humbëm një jetë nga dora e kriminelëve të cilët, për arsye të dështimeve të drejtësisë, kanë qenë të lirë”, shkroi ai.
“Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme”.
Ndryshe, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) mëngjesin e së shtunës konfirmoi vdekjen e Ramadanit, si pasojë e plagëve të rënda.
“Përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi mjekësor një person i datëlindjes 1984, ka ndërruar jetë në Mjekimin Intensiv Qendror”, njoftoi SHSKUK.
SHSKUK njoftoi se pesë persona janë pranuar për trajtim të mëtejmë, pas ndihmës mjekësore emergjente në Klinikën Emergjente, si pasojë e lëndimeve që kanë marrë mbrëmë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.