Tre persona kanë përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës, pas një aksioni të zhvilluar nga nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike në tre lokacione të ndryshme në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Policia, dy shtetas të Turqisë dhe një i Maqedonisë së Veriut, janë arrestuar pasi dyshohen për keqpërdorim të kartelave të bankës.
“Lidhur me rastin personat e dyshuar nga të cilët dy shtetas turk dhe një i Maqedonisë së Veriut dyshohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, kanë keqpërdorur kartela bankare të shtetasve të huaj dhe POS terminale të bankave vendore, dhe me këtë rast të njëjtit kanë konsumuar veprën penale ‘Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit’”, thuhet në njoftim.
Tutje, Policia ka bërë të ditur se janë gjetur dhe sekuestruar disa gjera në cilësi të provave materiale, të renditura si në vazhdim:
– POS terminale;
– Kartela bankare;
– Kartelë bankare e modifikuar;
– Para të gatshme;
– SIM kartela;
– Vula me mbishkrime të bizneseve;
– Kompjuter;
– Telefona mobil;
– Si dhe dokumente relevante (fatura, kupona fiskal, etj.) që ndërlidhen me veprën penale.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërkaq hetimet për rastin po vazhdojnë.