Pleurat Sejdiu dyshohet se është në konflikt interesi lidhur me hetimin e rastit të mjekut të Spitalit Amerikan, Sasho Josimovski i cili ishte denoncuar nga Kolegjiumi i Klinikës së Kardiologjisë në QKUK nën dyshimin se ia ka vendosur një pacienti kosovar baterinë dhe dy stenta në zemër, pa pasur nevojë.
Oda e Mjekëve e cila ka marr përsipër hetimin e këtij rasti, udhëhiqet Pleurat Sejdiu i cili njëkohësisht është i punësuar në Spitalin privat Amerikan ku punon edhe kolegu i tij, mjeku Sasho Josimovski që është subjekt i hetimit.
Gazeta Sinjali, gjatë kërkimit në faqen zyrtare të Spitalit Amerikan, ka vërejtur se pjesë e stafit të këtij institucioni privat shëndetësor është edhe Pleurat Sejdiu i cili punon si ortoped. I kontaktuar nga redaksia, Sejdiu ka konfirmuar se punon në Spitalin Amerikan, por ka mohuar se është në konflikt interesi.
“Absolutisht jo hiç, unë jam edhe në QKU i punësuar. Nuk e kam unë atë rast. E ka Këshilli Etik nuk e kam unë. Këshilli nuk më përgjigjet mua por Kuvendit të Odës së Mjekëve.”, ka thënë Sejdiu për gazetën Sinjali.
Përkundër këtyre pohimeve, në pyetjet e dërguara nga gazeta Sinjali në adresë të Odës, ka qenë Pleurat Sejdiu, ai që vazhdimisht është përgjigjur për këtë rast, madje edhe në emër të Këshillit Etik. Ai ka bërë edhe miratimin e kërkesës për lejimin e ekspertizës së pacientit që dyshohet se i është vendosur bateria dhe dy stenta në zemër pa pasur nevojë.
“Atë e kërkon një grup i thirrur për këtë punë, unë s`kam qare pa e aprovuar”, ka thënë Sejdiu i cili ndonëse në cilësi të eprorit në Odën e Mjekëve nuk e ka parë të arsyshme përjashtimin e tërësishëm të vetës nga ky rast për shkak se punon në Spitalin Privat së bashku me mjekun koleg që është subjekt i hetimit nga Oda.
Gazeta Sinjali ka raportuar dje sesi hetimet ndaj mjekut me të kaluar kriminale Sasho Josimovski nuk po shkojnë me dinamikën e duhur dhe se çështja ka mbetur peng i procedurave.
Përkundër se kanë kaluar gati tri javë nga fillimi i hetimit, materiali i plotë shkresor për hetim, nga QKUK deri tek Oda e Mjekëve ka arritur tek të hënën dhe atë vetëm pas interesimit të Gazetës Sinjali lidhur me ecurinë e këtij hetimi. Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu ka thënë se çështja është në fazën e shqyrtimit paraprak.
Derisa procedurat po zvarriten, dhe janë dashur gati një muaj që një dokumentacion të mbërrijë nga QKUK në Odën e Mjekëve brenda Prishtinës, mjeku maqedonas i denoncuar nga kolegjiumi i mjekëve të Klinikës së Kardiologjisë në QKUK-së dhe që më herët kishte qenë i dënuar në Maqedoni për keqpërdorim të detyrës zyrtare vazhdon të eksperimentojë me pacientët kosovarë në Spitalin Amerikan në Prishtinë. Pezullimin e veprimtarisë së tij mjekësore deri në përmbyllje të hetimit, nuk e sheh të arsyshme Pleurat Sejdiu përkundër se denoncimi është bërë nga një organizëm serioz i përbërë nga disa kardiologë.
”Asnjë masë nuk mund të shqiptohet pa përfunduar procedura disiplinore. Për përgjegjësinë nuk mund të flasim në terma prejudikues pa u vërtetuar pohimet ankimore dhe pa i shqyrtuar provat të cilat janë paraqitur nga parashtruesi i ankesës.”,
Gazeta Sinjali kishte raportuar më herët ekskluzivisht se si mjeku maqedonas, Sasho Josimovski, ka pasur një të kaluar kriminale në Maqedoni. Ai ka qenë i dënuar me dy vjet e gjysmë për keqpërdorim të detyrës zyrtare në kuadër të një organizimi të përbashkët kriminal të njohur si rasti “Metastaza”./Gazeta Sinjali/