image Krejt çka paralajmëroi Hoti sot pas takimit me drejtuesit e institucioneve shëndetësore

Shëndetësi

Krejt çka paralajmëroi Hoti sot pas takimit me drejtuesit e institucioneve shëndetësore

news image

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot pas takimit me drejtuesit e institucioneve shëndetësore në një konferencë për media, ka prezantuar disa nga masat e reja pas rritjes së rasteve dhe viktima me koronavirus në Kosovë.

Qytetarët e Komunës së Prishtinës, Prizrenit, Ferizajt dhe Vushtrrisë duke filluar nga sot në ora 21:00  nuk do të lejohen të lëvizin deri në ora 05:00 të mëngjesit, shkruan Gazeta Sinjali.

Në mesin e këtyre masave do të jetë edhe mbyllja e bizneseve nga ora 21:00 e mbrëmjes.

“Sa u përket bizneseve, do t’i mbyllim të gjitha lokalet nga ora 21:00 deri në ora 05:00”, tha kryeministri Hoti.

Ai po ashtu ka deklaruar se nga nesër do shtohen aparatet për testime si dhe do të shtohen kapacitetet për personelin mjekësor.

Në vendimet e Qeverisë Hoti rreth masave të reja, është vendosur të reduktohet stafi i numrit të të punësuarve nëpër çdo institucion, duke ua mundësuar që të punojnë vetëm stafit të domosdoshëm.

Dhe për këtë, tha se së shpejti do të dalë qarkorja, për institucionet, ku do të vendoset për stafin e domosdoshëm.

Ndërsa sa i përket institucioneve shëndetësore, kryeministri Hoti tha se do të trajtohen vetëm rastet emergjente, ndërsa do të reduktohen shërbimet joesenciale.

Kryeministri Hoti ka folur edhe për vdekjet në klinikat e QKUK-së pas mesnate, ku tha se nga ana e mjekëve nuk ka pasur lëshim në klinikat e QKUK-së.

 “Kjo situatë është shqetësuese shumë. Stafi po e bën maksimumin”, tha Hoti, ku u përgjigj edhe në pyetjen se a do të japë dorëheqje ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

 “Po bëjmë të pamundurën për të ta menaxhuar situatën. Jemi në krye të detyrës edhe ministri dhe gjithë stafi shëndetësor”, u shpreh Hoti.

Sa i përket transportit publik, Hoti tha se do të përgjysmohen kapacitetet.

Po ashtu bëri të ditur se do të kujdesen të krijojnë kapacitete shtesë me shtretër. Do të riorganizojnë komplet klinikat e QKUK-së, spitalet rajonale dhe spitalet private, shtretërit e tyre do të shfrytëzohen për pacientët që dërgohen nga QKUK. Do të mobilizojnë të gjithë personelin mjekësor në nivel vendi, sidomos në mikrobiologji dhe infermieri. Do të merren me kthimin e kapaciteteve për testim virologjik, do të krijohen kapacitetet që brenda ditës të kryhen deri në 500 teste.

Kryeministri i Kosovës paralajmëroi se në mesin e vendimeve të qeverisë janë edhe pagesat shtesë për personelin shëndetësor.

Hoti ka treguar se do të blihen aparatura të reja për testime, e gjithashtu do të testohen edhe ata që kanë shenja e të tjerë.

Madje ai ka njoftuar se përmes aplikacioneve qytetarët do të dinë nëse janë në afërsi me personat e infektuar me koronavirus.

“Sa i përket strategjisë mediatike, do të punojmë në përputhje me protokollet e komisionit evropian. Ku përmes aplikacioneve, do ta dijmë nëse keni qenë ose jeni në kontakt me personin e infektuar”, ka thënë Hoti, i cili tha se do të ruhet privatësia e secilit.

Këto vendime do të hyjnë në fuqi pas 4 orësh, përkatësisht në orën 21:00.

E gjithë kjo situatë erdhi pas  13 vdekjeve që ndodhën brenda 24 ore në Kosovë dhe numrit të madh të të infektuarve me COVID-19.

Në orën 18:00 do të mbahet mbledhja e Qeverisë, ku do të votohen masat e reja ndaj COVID-19. Mbledhja do të zhvillohet në mënyrë elektronike./Gazeta Sinjali/