image Krejt çka ndodhi pas vdekjeve të dyshimta në Klinikën Infektive

Shëndetësi

Krejt çka ndodhi pas vdekjeve të dyshimta në Klinikën Infektive

news image

Një vit tre muaj e gjashtë ditë pas vdekjes së gjashtë  pacientëve të infektuar me COVID-19, të cilët po trajtoheshin në Klinikën Infektive, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka mbyllur hetimet për këtë rast, shkruan Gazeta Sinjali.

Kështu kanë njoftuar për Gazetën Sinjali nga kjo prokurori dhe kanë bërë të ditur se pas raporteve të autopsisë, ka rezultuar se 6 rastet kanë qenë vdekje të natyrshme.

“Nga raportet e autopsisë, gjashtë vdekjet e dyshimta kanë rezultuar se kanë qenë vdekje të natyrshme dhe të njëjtit kanë qenë të infektuar me COVID-19“, kanë thënë nga kjo Prokurori për Sinjalin.

Çka ndodhi në mëngjesin e 5 korrikut të vitit 2020?

Që në orët e hershme të 5 korrikut të vitit të kaluar humbën jetën për një periudhë të shkurtër kohore në Klinikën Infektive ndërsa po kuroheshin nga COVID -19.

Dyshimet e para për këtë ngjarje të rëndë ishin tek mosfunksionimi i sistemit të oksigjenit të Infektives. Kurse, për fillimin e hetimeve kishte njoftuar policia e prokuroria.

Në atë kohë prokuroria kishte njoftuar se hetimet për këto vdekje ishin duke u bërë në mënyrë intensive. Kurse, policia në raportin 24 orësh kishte njoftuar se “me vendimin e prokurorit, trupat e pa jetë të viktimave dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion. Rasti është duke u hetuar”.

Sipas po të njëjtit raport, rastet e vdekjes së gjashtë personave në Klinikën Infektive ishin raportuar në polici në orën 01:00 të datës 5 korrik.

Reagim të menjëhershëm në po atë ditë, kishte pasur edhe Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës. Në reagimin e tyre shkruhej se për shkak të shtimit të numrit të vdekjeve brenda një periudhe të shkurtër kohore, janë ngritur dyshime rreth natyrës së këtyre vdekjeve.

 “Me qëllim që të zbardhet çdo dyshim rreth natyrës së vdekjes së tyre, MSH dhe SHSKUK u bëjnë thirrje publikut dhe të gjithëve që të përmbahen nga konkludimet e parakohshme dhe t’u japin kohën e duhur institucioneve përgjegjëse për ta bërë analizën e shkaqeve të vdekjeve dhe të nxjerrin përfundimet meritore”, shkruhej në komunikatë.

Reagimi i shoqatës së pacientëve të Kosovës

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve, pas vdekjeve të dyshimta në QKUK,  ka reaguar duke thënë që për këtë duhet dhënë përgjegjësi dhe drejtori i Shërbimit Spitalor të Klinikës Universitare të Kosovë, Basri Sejdiu duhet të japë dorëheqje “ose të shkarkohet nga Bordi i SHSKUK – së”, shkruhej në reagimin e PRAK-ut.

Kujtojmë se që nga fillimi i pandemisë e deri më sot nga koronavirusi kanë humbur jetën 2 mijë e 972 persona dhe janë shëruar 156 mijë e 412 tjerë.

/Gazeta Sinjali/