image Krejt çka duhet të dini për virusin që po prek vetëm fëmijët e po përhapet me të madhe në Kosovë

Shëndetësi

Krejt çka duhet të dini për virusin që po prek vetëm fëmijët e po përhapet me të madhe në Kosovë

news image

Një virus ka filluar të përhapet me të madhe në mesin e fëmijëve në Kosovë. Bëhet fjalë për virusin Coxsacki, që njihet ndryshe edhe si sëmundja e gojës, duarve dhe këmbëve.

Çfarë duhet të dini për këtë virus dhe cilat janë simptomat?

Infeksioni i gojës, duarve e këmbëve shkakton simptoma të lehta te fëmijët të cilat largohen edhe pa trajtim mjekësor. Megjithëse, këto infeksione vlerësohet se në raste të caktuara mund të çojnë edhe në infeksione më serioze.

Në shumë raste simptomat e këtij infeksioni janë si ato të gripit sezonal, megjithëse ky infeksion shkakton edhe flluksa të kuqe në duar, këmbë e rreth gojës.

Ky virus bën pjesë në familjen e viruseve të quajtur enterovirusë dhe zakonisht gjendet në gojë, stomak, zorrë të hollë e të trashë.

Rreth gjysma e fëmijëve që infektohen nuk kanë simptoma. Ndërsa pjesa tjetër, kanë dhimbje të fytit, të përziera, temperaturë, kokëdhimbje, flluska në duar, gojë e këmbë.

Ky virus përhapet përmes ajrit, kur një person teshtinë, kollitet apo frynë hundët.

Fëmijët e vegjël mund ta marrin këtë virus edhe gjatë prekjes së lodrave të ndryshme.

Andaj rekomandohet që fëmijët të mbajnë distancë nga fëmijët tjerë, të lajnë duart shpesh e të mos prekin sytë, hundën e gojën.

Se ky virus është përhapur te fëmijët në Kosovë e ka konfirmuar edhe pediatri Ramush Beiqi.

Ai ka treguar se numri më i madh i fëmijëve kanë qenë parashkollorë.

“Në kohët e fundit, në dy javët e fundit është lajmëruar një numër i madh i fëmijëve me këto ndryshime në duar, në shuplaka, përreth gojës, në fytyrë, në pjesën gjenitale dhe në gishtat e këmbëve. Më shumë kemi pasur fëmijë parashkollor deri në moshën 9-10 vjeç. Ai nuk përngjan shumë më infeksionin viral, është më shumë infeksion bakteror për shkak se shumica e ndryshimeve kanë edhe qelb që tregon që është infeksion bakteror i kontaminuar”, ka deklaruar ai.

Beiqi ka thënë se ky virus është shumë lehtë i transmetueshëm.

Sipas tij, fëmijët që infektohen me të duhet të izolohen për tre-katër ditë në mënyrë që mos të rrezikojnë edhe fëmijët tjerë.

“Mendoj që nuk duhet të bëhet panik, duhet që fëmijët prej qëndrimit kolektiv të izolohen, të mos vizitojnë çerdhet e shkollat tre-katër ditë derisa të shërohen. Trajtimi është shumë i lehtë për tre-katër ditë ato hiqen. Mendoj se nuk duhet të bëhet panik sepse është infeksion që shtrihet shpejtë ndërmjet fëmijëve, por me një trajtim tre-katër ditorë fëmija është i shëndoshë. Fëmijët që janë të prekur duhet të izolohen prej shkollës e prej çerdhes, e të trajtohen në mënyrë që fëmijët që janë të shëndoshë mos i ekspozohen infeksionit”, ka shtuar ai për express.

/GazetaSinjali/