Gazeta Sinjali raportoi të premten pasdite për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në lagjen Kapeshnicë të Pejës ku dyshohet se djali privoi nga jeta nënën e tij, duke ia këputur kokën me thikë e pastaj edhe duke ia pirë gjakun e saj.
I dyshuar për këtë krim makabër është Urim Hyseni nga Peja ndërsa viktima është Hyrije Broqi-Hyseni.
Siç mëson Sinjali, i dyshuari ka jetuar për rreth pesë vjet në shtetin e Gjermanisë dhe kishte ardhur përkohësisht në familjen e tij për vizitë ku pas disa ditësh pritej të kthehej në Gjermani.
Krimi makabër në Pejë dyshohet se u krye me gjakftohtësi, ku nga këqyrja e vendit të ngjarjes është provuar se viktimës i ishte këputur me thikë koka nga trupi, ku koka ishte vendosur në tavanin e shtëpisë, ndërkaq trupi në katin tjetër.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se skena ishte rrënqethëse dhe familjarët ishin të trishtuar nga ajo çfarë kishin parë me sy. Tmerri i kësaj ngjarje bëhet akoma më i rëndë për shkak të dyshimit se pas kryerjes së krimit, gjaku i viktimës u pi nga djali i saj.
Burime të afërta me familjen Hyseni, në kushte anonimiteti kanë bërë me dije se konflikti mes të dyshuarit Urim Hyseni dhe nënës së tij ka filluar për shkak të akuzave të Urimit se nëna është fajtore për ndarjen nga bashkëshortja e tij.
Këto burime, konfirmuan se i dyshuari ishte i martuar me një grua nga komuna e Gjakovës, mirëpo për shkak të përkeqësimit të raporteve ai ishte ndarë nga bashkëshortja e tij, ku për këtë e fajësonte edhe nënën e tij.
Pas kryerjes së krimit, Hyseni u prangos nga Policia e Kosovës.
Në anën tjetër, prokurorja e rastit, Sahide Gashi, deklaroi se kanë siguruar edhe dëshmitarë okularë të ngjarjes.
Gashi, para gazetarëve tha se bashkë me forenzikën, kanë dalë në vendngjarje dhe janë mbledhur të gjitha provat ku shtoi se është urdhëruar edhe autopsia e trupit të tashmë të ndjerës.
“Kemi provuar që të dyshuarin ta marrim në pyetje, por s’ka qenë në gjendje të flet dhe kemi urdhëruar që nesër në prezencë të psikologut dhe avokatit mbrojtës të provohet të merret deklarata e të njëjtit”, është shprehur Gashi.
Tutje, Gashi tha se në bazë të rrethanave do të urdhërojnë edhe ekzaminimin në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të të dyshuarit dhe do të vazhdojnë me hetime deri në ndriçimin e rastit.
Ndërsa, zëdhënësi i Prokurorirë Themelore në Pejë, deklaroi se i dyshuari është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit.
“Është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit. Gjatë afatit ligjor do të bëhen të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, ka thënë Nikçi.