Mbi 400 pacientë me COVID-19 janë me oksigjenoterapi, nga 600 sa po trajtohen gjithsej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet rajonale.
Kështu ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, i cili tha se këto shifra flasin për një situatë jashtëzakonisht të rënduar.
“Situata është duke u rënduar për ditë dhe më shumë, jemi në një situatë shumë të vështirë sa i përket krijimit të hapësirave të reja me shtretër dhe angazhim të stafit shtesë shëndetësor për t’i trajtuar. Po ashtu edhe manifestimet klinike tek pacientët janë jashtëzakonisht të rënda. Kemi pacientë me gjendje shumë të rëndë shëndetësore, mbi 400 pacientë nga 600 sa janë të shtrirë në Qendrën Klinike Universitare dhe spitalet rajonale mbi 400 prej tyre janë me oksigjenoterapi dhe kjo flet për një situatë jashtëzakonisht të rënduar”, ka thënë Krasniqi.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dje ka konfirmuar 15 viktima nga virusi COVID-19 DHE 226 raste të reja./Gazeta Sinjali/