image Krasniqi: Nëse SHBA i përmbahet standardeve, liderët në Shqipëri do të përfundojnë në listën e zezë

Krasniqi: Nëse SHBA i përmbahet standardeve, liderët në Shqipëri do të përfundojnë në listën e zezë

news image

Kreu i Institutit të Studimeve Politike dhe analisti i A2 CNN, Afrim Krasniqi, ishte i ftuar në Ditarin e orës 09:00 nga ku bëri një analizë të ngjarjeve më të fundit politike në vend.

Nga do të vijë zgjidhja për të dalë nga kriza?

“Nuk besoj se Gjykata Kushtetutës do të jetë finale në zgjidhjen e kësaj kriza. Në rastin më të mirë Gjykata Kushtetuese do të arrijë të bëjë 5 anëtarë për të marrë vendime dhe kjo do të arrijë nga fundi i tetorit dhe fillimi i nëntorit. Ndërkohë, për të zgjidhur krizën politike do të duhet që minimalisht në muajin shtator të nisin negociatat intensive. Në këtë rast, negociatat më shumë vijnë për shkak të presionit ndërkombëtar. Kemi alarm nga zyrat e OSBE se si mundet ky vend të drejtojë OSBE-në vitin e ardhshëm kur është në krizë”.

Negociatat dhe rasti Dako

“Lajmi më i keq është që askush nga ata që merr vendime në Tiranë nuk ka një reagim ndryshe, nuk ka një plan për zgjidhjen e krizës politike dhe për të shkuar më pas në Berlin dhe në Bruksel. Gjykata do të krijojë një barrë ligjore për të parandaluar kriza të tilla në vijim, por nuk mund të pritet një zgjidhje nga kjo gjykatë. Liderët politikë në vend e kuptojnë se ku po shkon Shqipëria dhe askush prej tyre nuk bën asgjë. Nëse ka individë që i tremben më shumë integrimit për shkak se monitorohen më shumë nga Brukseli, janë liderët kryesorë politikë. Rasti i zotit Dako tregoi se lajmi është pritur shumë mirë nga qytetarët, është pritur shumë keq nga elita politike. Secili në atë emër ka parë veten e tij. Nëse SHBA do t’i përmbahen standardeve për të luftuar korrupsionin, atëherë shumë prej atyre që ne i shohim të gjithëpushtetshëm në Tiranë do t’i shohim në listën e zezë të SHBA”.

Pa krijimin e SPAK, asgjë nuk mund të ndodhë në Shqipëri. SPAK-u do të jetë dita kur Shqipëria do të nisë një stad të ri. SPAK nëse krijohet në fund të këtij viti, atëherë do të kemi me fillimin e vitin të ardhshëm lajme pafundësisht për hetim të zyrtarëve të lartë. Nëse ne marrim rastin “Dako”. Ajo dosje ka qenë aty, por asnjë institucion nuk ka hetuar. Pala amerikane e bëri këtë pas zgjedhjeve sepse nëse do ta bënte pas daljes së përgjimeve, atëherë do të përdorej si kalë elektoral nga opozita”.

“Liderët me dosje korruptive, janë peng i tyre”

“Partitë nuk funksionojnë më si struktura politike. Ne nuk shohim të mblidhet një kryesi dhe të diskutohet me orë të zgjatura për një strategji dhe në fund të bien dakord. Ne kemi lider që vendosin. Shumica e liderëve politik në Shqipëri janë në konflikt interesi sepse shumica prej tyre kanë dosje korruptive nga pas dhe ata janë gjithmonë peng i dosjeve të tyre. Në këtë mënyrë, ata janë lehtësisht të atakueshëm, si nga BE ashtu edhe nga SHBA. Nëse ju bëni një kalendar të kryeqyteteve të më të rëndësishme europiane, do të shikoni se disa nga liderët tanë nuk janë ftuar asnjëherë në disa kryeqytete të rëndësishme. Kjo do të thotë se ka një vend që ata të mos ftohen e respektohen për shkak se përfaqësojnë më shumë një alternativ apo një burim korrupsioni”.