image Krasniqi: Me rritjen e rasteve të reja me COVID-19 po rrezikohet sistemi shëndetësor

Shëndetësi

Krasniqi: Me rritjen e rasteve të reja me COVID-19 po rrezikohet sistemi shëndetësor

news image

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka paralajmëruar se nëse do të ketë trend të rritjes së të infektuarve, sistemi shëndetësor do të vihet para sfidave të mëdha dhe serioze, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas tij, aktualisht po ia dalin që t’i menaxhojnë rastet klinike, por nëse tejkalohen kapacitetet spitalore, mekanizmat shtetëror duhet që të angazhohen që t’i sigurojnë shtretërit.

“Tani ne kemi 692 pacientë që janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive dhe në të gjitha spitalet e përgjithshme dhe në klinikat e QKUK-së. Pra, nëse krahasojmë me numrin e pacientëve që i kemi para 10 ditëve të shtirë i kemi diku 150 deri 160 pacientë më shumë sesa para 10 ditësh dhe nëse vazhdon ky trend sistemi shëndetësor do të vihet para sfidave jashtëzakonisht të mëdha dhe jashtëzakonisht serioze”, tha Krasniqi për KP.

Ai apeloi se nëse nuk respektohen masat aktuale antiCOVID, vendi rrezikon që të ketë numër më të madh të të infektuarve.

Po ashtu, Krasniqi ka shprehur shqetësimin e tij për mosizolimin e personave që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

“Nëse mund të themi rivendosim vëmendjen tonë ndaj pandemisë dhe respektojmë masat të cilat janë në fuqi, megjithatë ne mund t’ia dalim, në të kundërtën ne rrezikojmë të kemi numër shumë më të madh të të infektuarve. Ajo që kohëve të fundit kemi vërejtur është që qytetarët ose pacientët që rezultojnë pozitiv shpesh nuk po i respektojnë masat dhe po qarkullojnë, prandaj, unë iu bëjë një thirrje shumë të sinqertë të paktën të gjithë atyre që rezultojnë pozitiv, nuk duhet lejuar të dalin”, u shpreh Krasniqi.

Gjithashtu ai ka theksuar edhe njëhere nevojën për një spital që do të trajtonte vetëm pacientët e prekur me COVID-19, sepse nëse tejkalohen kapacitetet e ShSKUK-së duhet që të angazhohen mekanizmat tjerë për të siguruar shtretër.

“Me kohë kemi kërkuar që të kemi kapacitete shtesë, pra të kemi spitale vetëm për COVID, prandaj nëse tejkalohen kapacitetet mundësitë tona si Shërbim Spitalor sigurisht që duhet të angazhuar edhe mekanizmat tjerë për të siguruar shtretër…Ne bëjmë plane për të pranuar të gjithë ata pacientë që potencialisht kanë nevojë për trajtim spitalor”, u shpreh ai.

Numri total i rasteve pozitive është 76 mijë e 688 raste nga 351 mijë e 523 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1 mijë e 696 raste të vdekjes. E përkundër këtyre shifrave Kosova ende nuk ka siguruar asnjë dozë të vaksinës anti-COVID për qytetarët e saj./Gazeta Sinjali/