Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar rekomandimin e kryeshefit ekzekutiv të Sekretariatit, Burim Ahmetajt që të rinumërohen 58 vendvotime, shkruan Gazeta Sinjali.
Ahmetaj tha se në Qendrën e Numërimit të Rezultateve (QNR), janë duke u zhvilluar dy aktivitete si rinumërimi i 595 vendvotimeve dhe shërbimi votues i KQZ-së.
Po ashtu, ai bëri të ditur se janë rinumëruar 220 vendvotime dhe në proces janë 40 të tjera, kurse shërbimi votues i KQZ-së është duke vijuar me procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove me fletëvotime të supozuara se kanë ardhur nga jashtë vendit.
“Sipas të dhënave më të fundit janë hapur 34 mijë e 2 pako të supozuara me fletëvotime, prej nga kemi të aprovuara 41 mijë e 280 zarfe me fletëvotime dhe 16 mijë e 288 zarfe të refuzuara”, tha ai.
Sipas Ahmetajt, arsyet për mosaprovimin e fletëvotimeve nga jashtë vendit janë se 7 mijë e 281 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës.
Gjithashtu, 5 mijë e 192 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës, 1 mijë e 126 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë, 1 mijë e 17 zarfe janë dërguar nga votues të paidentifikuar./Gazeta Sinjali/