Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), aktualisht nuk ka buxhet për zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat pritet të mbahen së shpejti, pas shpërndarjes së sotme të Kuvendit të Kosovës.
Valmir Elezi, zyrtar për informim në KQZ, ka thënë për Sinjalin se ky vit nuk kishte qenë i paraparë për zgjedhje të jashtëzakonshme, prandaj nuk ka mjete të planifikuara për të. Por, ai ka thënë se KQZ në raste të tilla bën kërkesë buxhetore në Qeveri për t’i financuar zgjedhjet. Ka treguar se një veprim i ngjashëm ishte zhvilluar edhe në zgjedhjet lokale të katër komunave në këtë vit.
“Viti 2019 nuk është vit zgjedhor, prandaj në Ligjin e Buxhetit për këtë vit nuk ka mjete të planifikuara për zgjedhje. Duke u mbështetur edhe në praktikat e kaluara, pra kur kemi zgjedhje të parakohshme, KQZ-ja bën kërkesë buxhetore në Qeveri për mjete financiare për mbajtjen e zgjedhjeve”.
“Kështu kemi vepruar së fundmi me zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave, të cilat u mbajtën më 19 maj të këtij viti. Pra, kanë qenë zgjedhje të paplanifikuara”, ka deklaruar Elezi për Sinjalin.
Ditë më parë, KQZ kishte deklaruar se nuk mund të dihen saktë shpenzimet për zgjedhje të jashtëzakonshme pa u planifikuar ato. Sipas të dhënave të KQZ-së për zgjedhjet e kaluara të mbajtura në vitin 2017 janë shpenzuar rreth 5 milionë euro.
Ndërkohë, ministri i Financave, Bedri Hamza, muaj më parë kishte deklaruar se nuk ka buxhet për zgjedhje të jashtëzakonshme. Ai kishte thënë se ekziston një fond i cili mund të bartet, por kishte thënë se nuk ka njohuri nëse ka të drejtë ta transferojë atë buxhet.
“Buxhet brenda KQZ për organizimin e zgjedhjeve nuk ka, për shkak se ky nuk ka qenë vit zgjedhor në bazë të ligjit dhe kushtetutës. Po brenda Ministrisë së Financave është një fond, të cilën ministria ka të drejtë ligjore me transferuar në cilëndo organizate buxhetore”, kishte thënë Hamza.
“Për krejt këtë transfer ka nevojë për qartësim të situatës juridike pas dorëheqjes së kryeministrit, a jemi në dorëheqje, apo jemi ish-ministra, jemi ish-ministra atëherë është goxha problem legal se kush është ai që e nënshkruan këtë transfer do të thotë nuk është në pyetje që janë mjetet brenda ministrisë, mirëpo duhet të qartësohet situata legale, duhet me u shpall zgjedhjet edhe KQZ duhet me ardh me kërkesë te ministria e financave sa fonde nevojiten dhe për çka nevojiten”, ka thënë Hamza.
Legjislatura e VI-të e Kuvendit të Kosovës është shpërndarë sot në një seancë të jashtëzakonshme, e cila është mbajtur në orën 10:00. Me 89 vota pro, një kundër dhe dy abstenime Kuvendi u shpërnda për t’i hapur rrugë krijimit të një legjislature të re.
Ndërsa tani, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme jo më herët së 30 ditë nga shpërndarja e Kuvendit dhe jo më larg se 45 ditë nga dita e shpërndarjes./Sinjali/