Periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës është duke vazhduar ende.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri më 20 dhjetor janë aprovuar 51 mijë e 440 kërkesa ndërsa 3 mijë e 388 janë refuzuar.
“Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit. KQZ i informon individualisht aplikuesit e refuzuar për arsye të refuzimit të kërkesës së tyre si dhe për mundësinë e ri-aplikimit për regjistrim, duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Sipas këtij njoftimi, nga 51 mijë e 440 aplikime të aprovuara, 12 mijë e 631 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 8 mijë e 5 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë, dhe 30 mijë e 804 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, fillimisht duke u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe më vonë duke votuar”, shkruhet në njoftim.