Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar listën e përgjithshme të qendrave të votimit ku do të zhvillohet procesi i votimit me kusht për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat mbahen më 7 qershor 2026.
Sipas vendimit të KQZ-së, në secilën komunë është caktuar nga një qendër votimi me kusht, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 38 qendra në gjithë territorin e Kosovës, me gjithsej 52 vendvotime të dedikuara për këtë proces.
KQZ ka sqaruar se votimi me kusht u mundësohet qytetarëve që figurojnë në listën votuese, por që për arsye objektive nuk mund të votojnë në vendvotimin e tyre të rregullt. Duke qenë se Kosova është një zonë e vetme zgjedhore, votuesit mund të votojnë në çdo komunë, me fletëvotime me përmbajtje të njëjtë.
Numërimi i votave me kusht do të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, disa ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, sipas procedurave të përcaktuara.
Në total, procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 qendra votimi me 2,550 vendvotime, prej të cilave 911 qendra me 2,498 vendvotime i përkasin votimit të rregullt, ndërsa 38 qendra janë të dedikuara për votim me kusht.
Ndërkohë, votimi jashtë vendit do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës, përfshirë 17 ambasada dhe 13 konsullata, me gjithsej 47 vendvotime. Votimi fizik në këto përfaqësi është planifikuar të mbahet më 6 qershor 2026.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!