Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet ta përmbyllë gjatë ditës së sotme procesin e rinumërimit të vendvotimeve të përcaktuara me vendim të veçantë, pasi kanë mbetur edhe nëntë vendvotime për t’u shqyrtuar.
Procesi i rinumërimit ka vazhduar mëngjesin e së premtes në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ku gjatë ditës së parë janë rinumëruar 176 nga gjithsej 185 vendvotime.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se rinumërimi i vendvotimeve të mbetura pritet të përfundojë gjatë paradites, duke mbyllur kështu të gjithë procesin e paraparë me vendimin e institucionit zgjedhor.
Sipas KQZ-së, 185 vendvotimet e përfshira në rinumërim përbëjnë 7.41 për qind të numrit të përgjithshëm prej 2,498 vendvotimeve të rregullta ku është zhvilluar votimi në zgjedhjet e 7 qershorit 2026.
Institucioni zgjedhor ka sqaruar se vendimi për rinumërim është marrë në bazë të rregulloreve për funksionimin e QNR-së dhe ka për qëllim verifikimin shtesë të rezultateve, si masë për garantimin e saktësisë dhe integritetit të procesit zgjedhor.
Rinumërimi ka përfshirë vendvotime në dhjetëra komuna të Kosovës, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Ferizajn, Gjakovën, Pejën, Gjilanin, Podujevën, Mitrovicën dhe komuna të tjera, ku janë identifikuar nevoja për verifikime shtesë gjatë procesit të numërimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!