image KOSTT-i për shkak të mungesës së sigurisë ende pa qasje në nënstacionin e Vallaçit në veri

Politikë

KOSTT-i për shkak të mungesës së sigurisë ende pa qasje në nënstacionin e Vallaçit në veri

news image

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë të Kosovës-KOSTT, vazhdon të mos ketë qasje në nënstacionin 110/35 kV Vallaç në veri të Kosovës për shkaqe politike, raporton Gazeta Sinjali.

Sistemi energjetik atje vazhdon të mos kontrollohet nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, por nga Elektro Distribucioni dhe institucionet tjera të Serbisë.

Bëhet fjalë nga Trepça tek linjat 110kV për nënstacionin në Vallaç dhe Ujman, ku përfshihen nga territori i komunave Mitrovica e veriut, Zubin Potoku, Leposaviqi e Zveqani.

Zana Bajrami-Rama, menaxhere për Komunikim dhe Relacione me Publikun, tha për Gazetën Sinjali se me Marrëveshjen e kyçjes KOSTT/ENTSO-E është i definuar kufiri energjetik i KOSTT i cili natyrisht është në përputhje me kufirin gjeografik të Kosovës.

Ajo theksoi se rrjedhimisht edhe nënstacioni i Vallaçit është pjesë e zonës rregulluese të KOSTT, pjesë e sistemit të transmetimit të Kosovës.

“Operatorët në NS Vallaç për pjesën e transmisionit i marrin dhe zbatojnë instruksionet e Qendrës Nacionale Dispeçerike të KOSTT, ndërkaq për shkaqe politike qasja fizike për mirëmbajtje në këtë nënstacion ka munguar”, tha zyrtarja e KOSTT-it.

Rama theksoi se pas miratimit të udhërrëfyesit për implementimin e marrëveshjeve të energjisë në mes të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, KOSTT ka themeluar Grupin Punues dhe ka njoftuar ZRrE-në në lidhje me autorizimet për qasje dhe analizë. KOSTT gjithashtu ka përgatitur Planin Aksional përfshirë veprimet konkrete të nevojshme rreth qasjes fizike dhe analizave të gjendjes së aseteve të transmetimit të KOSTT në pjesën veriore të Sistemit të Transmetimit të Kosovës.

“KOSTT është në pritje të sigurimit të qasjes fizike në nënstacionin 110/35 kV Vallaç për personat e autorizuar. Për më shumë, mund të flasin në ZRrE dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, si organe kompetente për mbikëqyrjen e procesit për respektimin e udhërrëfyesit”, tha zëdhënësja e KOSTT-it për Gazetën Sinjali.

Nga Qeveria e Kosovës e Ministria e Brendshme nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje lidhur me sigurimin e qasjes fizike  në nënstacionin e Vallaçit.

/GazetaSinjali/