Gjykatave në Kosovë u duhen më shumë se një dekadë për të zgjidhur një kontest pronësor.
Për këso problemesh tre të vrarë për një javë
Mijëra lëndë të kontesteve pronësore vazhdojnë të mbesin pazgjidhura në sirtarët e gjykatave.
Nga 13 mijë lëndë që gjenden në punë në të gjitha gjykatat e vendit, më shumë se 11 mijë lëndë vazhdojnë të jenë të pazgjidhura nga gjykatat.
Ndërsa, deri në qershor të këtij viti në gjykatat e vendit janë pranuar më shumë se 1,700 lëndë të kësaj natyre.
Vetëm në Gjykatën Themelore të Prishtinës nga 4,076 lëndë, të pazgjidhura kanë mbetur më shumë se 3,830. Ndërsa, vetëm brenda 6 muajve të parë të këtij viti janë pranuar 243 lëndë.
Numri më i madh i lëndëve të pazgjidhura ka të bëjë me vërtetimin e pronësisë.
Mbingarkesa me lëndë, zvarritja e trajtimit të këtyre lëndëve sipas avokates Albana Kelmendi, bën që këto lëndë të mos marrin verdiktin përfundimtar për vite të tëra.
Vetëm në një rast, të cilin e ka përfaqësuar Kelmendi, gjykatës i janë dashur 11 vjet që të marrë vendim për një kontest pronësor.
Zvarritja e këtyre lëndëve ua pamundëson palëve të dëmtuar që ata të realizojnë të drejtën e tyre në pronësi.
Vetëm brenda javës së kaluar, tre persona në dy raste të ndara u vranë si shkak i problemeve pronësore. Si shkak i një përleshjeje të armatosur që ndodhi në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, dy persona nga familja Mehmeti dhe Rafuna mbetën të vrarë.
Ndërsa, vetëm tri ditë më parë në një parking afër ndërtesës së komunës në Lipjan një person mbeti i vdekur nga një përleshje që ndodhi gjithashtu si shkak i problemeve pronësore.