image Kosova u bën thirrje ndërkombëtarëve që Serbia ta lirojë veteranin e UÇK-së, alarmohet për "sinjal të rrezikshëm" në vend

Politikë

Kosova u bën thirrje ndërkombëtarëve që Serbia ta lirojë veteranin e UÇK-së, alarmohet për “sinjal të rrezikshëm” në vend

news image

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të reagojë dhe të ndërmarrë hapa konkretë që Serbia ta lirojë Hasan Dakajn, ish-pjesëtar i UÇK-së, të cilin e ka arrestuar të premten në mëngjes.

MPJD-ja ka thënë se ka aktivizuar të gjithë mekanizmat institucionalë dhe se ka njoftuar Zyrën e Bashkimit Evropian në Serbi, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Britanisë së Madhe në Serbi.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të ndërmarrë hapa konkretë për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Hasan Daka dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në njoftimin zyrtar.

MPDJ ka njoftuar se do të paraqesë kërkesë zyrtarë autoriteteve serbe për ta lejuar ambasadorin Jashari që ta vizitojë të arrestuarin Hasani.

“Zyra Ndёrlidhёse e Republikёs sё Kosovёs nё Serbi, do tё paraqesë kёrkesё zyrtare autoriteteve serbe pёr tё lejuar ambasadorin Jashari ta vizitojё Hasan Daka, nё mёnyrё qё shteti dhe Qeveria e Republikёs sё Kosovёs tё njoftohet mё konkretisht pёr trajtimin qё po i bёhet Hasan Dakës nga organet serbe”, thuhet në njoftim.

Lidhur me arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së reagoi edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Konjufca ka thënë se ky është një sinjal i rrezikshëm në vazhdën e ngjarjeve që tregojnë se autokracitë sot po sulmojnë nga të gjitha anët stabilitetin dhe paqen.

“Arrestimi i papranueshëm në Merdare i ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj, nga policia serbe, përbën një sinjal tepër të rrezikshëm në vazhdën e ngjarjeve që tregojnë se autokracitë sot po sulmojnë nga të gjitha anët stabilitetin dhe paqen. E vetmja mënyrë e mbijetesës së tyre është shtypja e opozitës dhe demokracisë së brendshme, por dhe dëmtimi me çdo mjet i fqinjëve”, ka shkruar Konjufca në një postim në Facebook.

Ai tutje ka thënë se mungesa e ndëshkimit ndaj Serbisë po e rrit numrin e sulmeve mbi Kosovën.

“Në mënyrë të përsëritur, mungesa e ndëshkimit ndaj Serbisë po e rrit numrin dhe natyrën e sulmeve të saj mbi Republikën e Kosovës dhe qytetarëve të saj”, vijon ai.

Ai tutje ka bërë thirrje për lirim të menjëhershëm të ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj.

“Bëj thirrje për lirim të menjëhershëm të qytetarit tonë, Hasan Dakaj. Mbajtja e tij peng, vetëm pse është ish-ushtar i UÇK-së, tregon që në Serbi kemi të bëjmë me një qeveri dhe me një shtet që nuk ka ndryshuar aspak në raport me atë Serbi që bëri krime lufte, spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë”, ka thënë kreu i Kuvendit.

Tutje Konjufca ka thënë se me këtë akt, qeveria serbe dëshmon se është në përputhje të plotë me politikën e regjimit të Millosheviqit.

“Akte të tilla mbi qytetarët tanë nuk do të tolerohen në asnjë mënyrë. Thirrja e komunitetit ndërkombëtar për t’i bërë presion Serbisë për lirimin e Hasan Dakajt do t’i shërbente më së miri stabilitetit dhe mundësive të së ardhmes”, ka përfunduar ai.

/GazetaSinjali/