Zhvillimi i sektorit të gazit natyror po shihet si një nga projektet më të rëndësishme energjetike për Kosovën në dekadën e ardhshme, në kuadër të përpjekjeve për diversifikimin e burimeve të energjisë dhe forcimin e sigurisë energjetike.
Sipas Strategjisë së Energjisë 2022–2031, Kosova planifikon të ndërtojë për herë të parë infrastrukturën e nevojshme për transmetimin dhe shpërndarjen e gazit natyror, duke krijuar lidhje me rrjetet rajonale dhe tregun evropian të energjisë.
Dokumenti strategjik parashikon që furnizimi me gaz të realizohet përmes interkoneksioneve me vendet fqinje dhe lidhjes me Gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP), si dhe përmes mundësive të ofruara nga terminalet rajonale të gazit të lëngshëm (LNG).
Autoritetet vlerësojnë se ndërtimi i infrastrukturës së gazit mund të zgjasë nga shtatë deri në nëntë vjet, ndërsa pas funksionalizimit të sistemit, ky burim energjie do të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike, sektorin industrial dhe nevojat e ngrohjes.
Zhvillimi i gazit natyror konsiderohet gjithashtu një hap i rëndësishëm drejt integrimit energjetik rajonal dhe përmbushjes së objektivave afatgjata për modernizimin e sektorit energjetik në Kosovë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!