image Kosova pranohet në Asociacionin e Sporteve të Doganave Evropiane

Politikë

Kosova pranohet në Asociacionin e Sporteve të Doganave Evropiane

news image

Republika e Kosovës është pranuar në Asociacionin e Sporteve të Doganave Evropiane (“European Customs Sports Association”, ECSA), njofton Ministria e Punëve të Jashtme.

Presidenti i këtij asociacioni, Jan Hlinka, përmes njoftimit zyrtar ka informuar dje Ambasadën e Kosovës në Bruksel për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në ECSA.

“Kam kënaqësinë e madhe t’ju informoj se në Mbledhjen e Përgjithshme të Asociacionit të Sporteve të Doganave Evropiane, është miratuar aplikacioni i Kosovës për anëtarësim. Jam i kënaqur të mirëpres Doganën e Kosovës në familjen tonë” thuhet në֝ njoftimin e presidentit të Asociacionit të Sporteve të Doganave Evropiane.

ECSA, e cila kryesohet nga Republika Çeke, është organizatë ndërkombëtare që përfaqëson administratat doganore evropiane, dhe këtë vit feston 30-vjetorin e themelimit të saj.

Më tej në njoftimin e MPJ-së thuhet se me Republikën e Kosovës si anëtaren më të re, ECSA numëron 24 anëtarë: Austri, Belgjikë, Republika Çeke, Qipro, Danimarkë, Finlandë, Francë, Gjermani, Hungari, Irlandë, Itali, Letoni, Lituani, Luksemburg, Maltë, Holandë, Norvegjia, Polonia, Sllovakia, Suedia, DG Taxud, Turqi dhe Mbretëri e Bashkuar.

Sipas MPJ-së qëllimi i ECSA-së është të forcojë lidhjet midis administratave doganore evropiane duke inkurajuar dhe organizuar aktivitete të përbashkëta sportive, duke promovuar bashkëpunimin sportiv dhe kulturor, si dhe mirëkuptimin e ndërsjellë ndërmjet zyrtarëve doganorë.

“Anëtarësimi në këtë organizatë është i rëndësishëm për Republikën e Kosovës, pasi zyrtarët e saj doganorë tani e tutje do të marrin pjesë në aktivitetet e këtij asociacioni, bashkë me kolegët e administratave doganore të vendeve të ndryshme evropiane”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.

Më tej në njoftim thuhet se aplikimi i Republikës së Kosovës është bërë në muajin shtator 2022, në përvjetorin e 23-të të themelimit të Doganës së Kosovës. Gjersa e veçanta e këtij anëtarësimi është se Dogana e Kosovës është e para administratë doganore nga Ballkani Perëndimor që bëhet anëtare në ECSA, si anëtare me të drejta dhe obligime të barabarta në mesin e administratave doganore evropiane.

/GazetaSinjali/