image Kosova pa Kod Civil, Ministria e Drejtësisë ende po e shqyrton martesën e gjinisë së njëjtë

Politikë

Kosova pa Kod Civil, Ministria e Drejtësisë ende po e shqyrton martesën e gjinisë së njëjtë

news image

Edhe pse thuhet se Kodi Civil është me rendësi të veçantë për sistemin juridik në Kosovë, vendi jonë ende vazhdon të mbetet thuajse i vetmi shtet  i cili nuk ka Kod Civil, pasi që Kuvendi nuk ka arritur ta miratojë këtë si shkak i martesave të së njëjtës gjini e disa çështjeve tjera.

Jo vetëm  deputetë të opozitës, por edhe 14 deputetë të pozitës dhe 4 të tjerë kanë abstenuar vitin e kaluar për kodin, derisa prapë premtojnë se do ta veprojnë nëse nuk ndryshohet.

Nga Ministria e Drejtësisë, thonë për Gazetën Sinjali se Kodi Civil është prioritet për Ministrinë e Drejtësisë dhe me rendësi të veçantë për sistemin juridik në Kosovë.

“Po sa të jetë i gatshëm Kodi Civil, i njëjti do të procedohet për në Qeveri dhe më pas në Kuvendin e Kosovës”, thonë nga MD-ja.

Më tej nga kjo ministri shprehen se vazhdojnë të jenë të angazhuar në kompletimin e Kodit Civil dhe po sa të jetë i gatshëm do ta procedojnë tutje për në Qeveri dhe më pas në Kuvendin e Kosovës.

“Ministria e Drejtësisë ka rishqyrtuar dispozitën e tillë (të martesave të gjinisë së njejtë) dhe është në fazën finale të kompletimit të Kodit si tërësi”, thonë për Gazetën Sinjali nga MD-ja.

Ndërsa deputeti Eman Rrahmani nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje i cili edhe më parë nuk e ka votuar Kodin Civil për shkak të nenit 1138, ku dhe kishte kërkuar tërheqjen e projektit.

Ai për Gazetën Sinjali ka paralajmëruar se prapë nuk do ta votojë me përmbajtje të njëjtë dhe do të votoi kundër.

“Jo nuk do ta votojë nëse vjen me përmbajtje të njëjtë”, tha për Gazetën Sinjali deputeti Eman Rrahmani.

Ndërsa deputeti Mërgim Lushtaku nga PDK-ja tregon për Gazetën Sinjali, se Kodin Civil nuk e ka votuar dhe se beson se nuk do ta votoj as herën tjetër nëse nuk ruhet familja apo rrezikohet ajo..

 “Unë jam pro familjes dhe martesës në mes burrit e gruas e jo siç e parashihte projekt kodi martesën mes gjinive të njëjta. Unë e kam pasur këtë qëndrim dhe nuk e ndryshoi, sepse duhet ruajtur vlerat e familjes ”, tha Lushtaku.

Më tej ai theksoi se Kodi Civil është shumë i rëndësishëm dhe duhet të kaloi, por nuk mund të mbetet peng i disa neneve të caktuar.

/GazetaSinjali/