image Kosova nesër mëson grupin, kërkon kalimin në fazën tjetër të kualifikimeve për Botëror

Sporte të tjera

Kosova nesër mëson grupin, kërkon kalimin në fazën tjetër të kualifikimeve për Botëror

news image

Rruga drejt kampionatit botëror të hendbollisteve “Spanja 2021”, do të fillojë të mërkurën kur tërhiqet shorti për fazën e parë të kualifikimeve evropiane. Në short është edhe Kombëtarja e Kosovës që synon kalimin në raundin tjetër.

Në kombëtaren tonë është rritur ndjeshëm konkurenca në vitet e fundit dhe rrjedhimisht është rritur cilësia. Vendi i parë apo i dytë, që dërgojnë tutje, është synim i Kombëtares tonë. Natyrisht shumë do të varet nga shorti, ndërsa në kualifikime paraqiten kombëtare me nivel serioz dhe nuk do të jetë e lehtë.

Por kualifikimi në fazën tjetër duhet të jetë synimi ynë si pjesë e zhvillimit të mëtejmë.

Shorti tërhiqet prej orës 15:00 në Vjenë. Dhjetë kombëtare, nga dy prej të gjitha pesë grupeve, kalojnë tutje. Do të formohen dy grupe me nga katër ekipe dhe tri grupe me nga tri ekipe.

Ndarja nëpër vazo e kombëtareve është bërë në bazë të ranglistës së kombëtareve të hendbollisteve që ishte e vlefshme për Euro 2020.

Vazoja 1: Austria, Bjellorusia, Sllovakia, Turqia, Maqedonia e Veriut

Vazoja 2: Ukraina, Italia, Zvicra, Islanda, Portugalia

Vazoja 3: Lituania, Ishujt Faroe, Kosova, Izraeli, Finlanda

Vazoja 4: Greqia, Luksemburgu

Të rikujtojmë që kombëtarja jonë është përballur me sukses edhe me kombëtare nga vazoja e parë, ndonëse nuk ka qenë e kompletuar.

Ndeshjet do të luhen në formë turneu në një vend. EHF-ja ka përcaktuar dy termine për këto ndeshje: 27-29 nëntor apo 4-6 dhjetor. Dy të parët në grup kualifikohen për fazën e dytë, ku zhvillohen ndeshje plejofi. Faza e dytë është më 16 e 21 prill 2021./Gazeta Sinjali/