image Kosova nderon policët e rënë në detyrë, zbulohen shtatorja e Enver Zymerit dhe bëhen homazhe për Afrim Bunjakun

Kosovë

Kosova nderon policët e rënë në detyrë, zbulohen shtatorja e Enver Zymerit dhe bëhen homazhe për Afrim Bunjakun

news image

Policia e Kosovës ka shënuar Ditën Memoriale të Zyrtarëve Policorë të Rënë në Detyrë, në nderim të pjesëtarëve të saj që humbën jetën gjatë kryerjes së misionit për mbrojtjen e rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve.

Aktivitetet përkujtimore nisën me homazhe pranë Lapidarit të Zyrtarëve Policorë të Rënë në Krye të Detyrës, në objektin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Prishtinë. Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, drejtues të Policisë së Kosovës dhe figura të tjera publike, të cilët vendosën kurora me lule në shenjë respekti për sakrificën e policëve të rënë.

Në kuadër të aktiviteteve, delegacione institucionale zhvilluan homazhe pranë varrit të heroit Afrim Bunjaku, duke nderuar kontributin dhe sakrificën e tij në shërbim të vendit. Gjithashtu, u vizituan familjet e heronjve Afrim Bunjaku dhe Enver Zymeri, ku u shpreh mirënjohje për përkushtimin e tyre në mbrojtje të Republikës së Kosovës.

Përkujtimi vazhdoi edhe në Varagë të Zubin Potokut, pranë vendit ku ra heroi Enver Zymeri, ku u nderua kujtimi i tij dhe angazhimi për ruajtjen e rendit kushtetues dhe sovranitetit të vendit.

Një nga momentet kryesore të kësaj dite ishte zbulimi i shtatores së Enver Zymerit në Kampin e Njësive Speciale në Mitrovicë. Shtatorja u cilësua si një simbol i përhershëm i guximit, profesionalizmit dhe sakrificës së zyrtarëve policorë që kanë dhënë jetën gjatë shërbimit.

Policia e Kosovës theksoi se kujtimi i pjesëtarëve të rënë mbetet pjesë e rëndësishme e historisë së institucionit dhe se sakrifica e tyre vazhdon të jetë frymëzim për të gjithë zyrtarët që shërbejnë për sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e shtetit të së drejtës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/