image Kosova “mbushet” me vizitorë – Gati 7 milionë gjatë vitit 2024

Kosovë

Kosova “mbushet” me vizitorë – Gati 7 milionë gjatë vitit 2024

news image

Kosova ka shënuar një rritje të ndjeshme të vizitorëve gjatë vitit 2024. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), nga janari deri në dhjetor, në vend kanë hyrë gjithsej 6 milionë e 938 mijë e 227 vizitorë të jashtëm, bazuar në të dhënat e grumbulluara nga pikat kufitare.

Të dhënat janë bërë publike të premten në kuadër të hulumtimit të Hotelerisë dhe Turizmit, ku është prezantuar edhe shpërndarja e net-qëndrimeve.

“Numri i net-qëndrimeve ishte 1 milionë e 522 mijë e 890, prej tyre 45,6% nga vendorët dhe 54,3% nga të huajt”, thuhet në tabelën e prezantuar nga agjencia.

Sipas ASK-së, gjatë vitit 2024 është regjistruar rritje e përgjithshme e vizitave krahasuar me vitin paraprak.

“Në vitin 2024, numri i vizitorëve vendorë është rritur për 4,2% në raport me vitin 2023, kurse net-qëndrimet vendore janë ulur për (-13,2%). Ndërsa, ka rritje të vizitorëve të jashtëm për rreth 18,3%, kurse net-qëndrimet e tyre janë rritur për 10,9% në raport me vitin paraprak”, thuhet në njoftim.

Rajoni me numrin më të lartë të vizitorëve vendorë ishte Prishtina, me 205,405 vizitorë, ndërsa Peja kryeson për nga numri i net-qëndrimeve, me 591 mijë e 673 të tilla.

Në aspektin e turizmit të jashtëm, ASK konstaton një rritje domethënëse krahasuar me vitin 2023.

“Në total ishin 423 mijë 282 vizitorë të huaj, nga të cilët numri më i madh është nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra, Turqia etj”, thuhet në njoftim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/