Viti 2025 u mbyll me nivelin më të lartë të importeve të regjistruar ndonjëherë. Me mbi 7 miliardë euro importe, fatura e importeve preku rekord historik, duke nxjerrë në pah varësinë e vazhdueshme të tregut vendas nga mallrat e huaja. Ndërkohë, të dhënat për pesë muajt e parë të vitit 2026 tregojnë se kjo prirje mbetet e pandryshuar, me importet që po afrohen sërish me nivelin rekord të vitit paraprak. Për çdo euro që del nga eksportet, ekonomia vazhdon të shpenzojë shumë më tepër për mallra nga jashtë.
Krahasimi me vitin 2021 nxjerr në pah përmasat reale të zgjerimit. Atë vit, importet kapnin vlerën prej rreth 4.65 miliardë eurosh. Vetëm katër vjet më vonë, fatura e importeve është fryrë me më shumë se 2.35 miliardë euro, ose 50.57 për qind.

Burimi: Dogana e Kosovës.
Me fjalë të tjera, çdo vit që ka kaluar ka sjellë më shumë mallra të importuara dhe një barrë financiare gjithnjë e më të madhe për të përmbushur kërkesën e tregut vendor.
Rritja më e fuqishme u shënua në vitin 2022. Vetëm brenda një viti, importet u zgjeruan me rreth 954 milionë euro, ose 20.51% krahasuar me vitin paraprak. Vlera totale u ngjit nga 4.65 miliardë euro në rreth 5.60 miliardë euro, duke regjistruar kërcimin më të madh vjetor të gjithë periudhës.
Pas këtij hovit të fortë, viti 2023 solli një ngadalësim të përkohshëm. Importet u rritën me rreth 164 milionë euro, ose 2.93%, ritmi më i ulët i viteve të fundit. Megjithatë, kjo rezultoi vetëm një ndërprerje e shkurtër e trendit rritës.
Në vitin 2024, fatura e importeve u zgjerua sërish me rreth 561 milionë euro, ndërsa në vitin 2025 iu shtuan edhe mbi 672 milionë euro të tjera, duke e çuar për herë të parë totalin vjetor në pragun historik prej 7 miliardë eurosh.
Në tërësi, gjatë periudhës 2021-2025, importet janë rritur me një normë mesatare vjetore prej 10.77 për qind.
Pesha kryesore e kësaj fature vazhdon të lidhet me energjinë. Derivatet kanë dominuar ndër produktet më të importuara gjatë gjithë periudhës së analizuar, ndërsa energjia elektrike ka mbetur vazhdimisht ndër kategoritë që rëndojnë më së shumti bilancin e importeve.
Vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, Kosova importoi mallra në vlerë prej rreth 2.92 miliardë eurosh. Nëse ky ritëm ruhet edhe gjatë muajve të mbetur të vitit, importet pritet të qëndrojnë pranë rekordit të vendosur në vitin 2025.
Si rezultat, deficiti tregtar u ngjit në 1.95 miliardë euro, nga 1.88 miliardë euro në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Hendeku u zgjerua për 77.8 milionë euro, ose 4.1 për find.
Në importe, Gjermania ishte origjina kryesore me 314.8 milionë euro, e ndjekur nga Kina me 306.0 milionë euro dhe Turqia me 261.0 milionë euro. Së bashku, këto tri vende përbënin afërsisht 38.7% të importeve. Rritjen më të madhe absolute e pati Kina, me 49.6 milionë euro më shumë se një vit më parë.
Në anën tjetër, importet nga Maqedonia e Veriut ranë me 33.6 milionë euro, ndërsa ato nga Turqia me 30.7 milionë euro.
Në total, nga viti 2021 deri në fund të vitit 2025, Kosova importoi mallra në vlerë prej rreth 29.35 miliardë eurosh.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!