Shteti i Kosovës i ka ofruar mundësinë Shteteve të Bashkuara që të krijojnë një bazë të përhershme ushtarake në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.
Këtë propozim e ka dhënë ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj në emër të Qeverisë, i cili zhvilloi takim me nënsekretarin e Departamentit amerikan të Mbrojtjes, Colin Kahl në Pentagon.
Ministri Mehaj në njoftim për media ka thënë se krijimi i një baze të tillë do t’i kontribuonte “shumë paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkan”.
Kampi Bondsteel në Ferizaj është kampi më i madh ushtarak që ka ShBA-ja në Kosovë.
Ndërsa, nënsekretari Kahl, sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, ka rikonfirmuar përkrahjen e ShBA-së për Kosovën drejt integrimeve euroatlantike, “duke theksuar se vizioni i presidentit amerikan, Joe Biden për integrimin e Ballkanit Perëndimor, në BE, mbetet në agjendën prioritare”.
Gjithashtu, Mehaj dhe Kahl kanë biseduar edhe për punën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, teksa nënsekretari Kahl ka premtuar se përkrahja e shtetit të tij për FSK-në do të jetë e vazhdueshme.
Të dy e kanë vlerësuar lart partneritetin në misionin e parë paqeruajtës të FSK-së në Kuvajt dhe pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjen e forcave të NATO-s “Defender- Europe’21”./GazetaSinjali/