Një kabllogram i Ambasadës së Amerikës në Prishtinë e paraqet Kosovën të rrënuar nga pandemia, sipas gazetares së mediumit të njohur “Politico”, Nahai Toosi, transmeton Gazeta Sinjali.
Në një seri postimesh në Twitter, Toosi ka shpalosur detaje nga dokumenti që thotë se është i nënshkruar nga ambasadori Philip Kosnett.
Aty ajo ka dhënë detaje për shqetësimet që kanë shprehur diplomatët amerikanë në Kosovë lidhur me çështjet që lidhen me pandeminë dhe të tjera.
Toosi ka shkruar se ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, në këtë dokument ka deklaruar se ambasada në Prishtinë është “në pikën kritike”.
Ajo po ashtu ka thënë se amerikanët edhe para situatës së shkaktuar nga COVID-19 kishin pasur probleme me ajrin e ndotur, hapësirat e pakta të gjelbra, shanset e vogla për aktivitete në hapësirat e jashtme dhe infrastrukturën e keqe në kryeqytetin e Kosovës.
Në kabllogram, sipas saj, janë përmendur tufat e qenve endacakë që mund të jenë agresivë kur janë të uritur. Për këtë dhe arsye të tjera “stafi i ambasadës shpesh ka ngelur i mbyllur në kohën e krizës së COVID-19”.
Në kabllogram theksohet po ashtu se ka mungesë të stafit e se stafi po bën më shumë punë se që i takon. “Ka ndikim tejet negativ në shëndetin tim”, kishte thënë një punëtor në një studim të kryer e që shpaloset në kabllogram, ka deklaruar Toosi. “Orari i gjatë” është përmendur si pikë tjetër e vështirë nga punëtorët në këtë ambasadë.
Sipas kabllogramit, të shpalosur nga Toosi, rreth 20 për qind të punonjësve të kësaj ambasade kanë qenë të infektuar me COVID-19, shumica staf lokal. Aty është thënë se “ky është indikacion për humbjen e kontrollit të sëmundjes në Kosovë”.
“Kosova sillet sikur një shtet pa COVID-19… Por Kosova është një shtet i rrënuar nga pandemia… në SHBA, nëse nuk bartni maskat në publik ju mund të përfundoni në një video virale; në Kosovë më shumë ka gjasa të bëheni trend në rrjetet sociale sepse po mbani maskë”, ka shkruar më tej në Twitter gazetarja.
Ajo ka thënë se në kabllogram theksohet se “është vështirë të pranohet” që liderët e Departamentit të Shtetit kanë vënë prioritet vaksinimin e personelit në Washington. “Pritjet e vazhdueshme e më pas dështimet për shpërndarjen e vaksinimit kanë shqetësuar stafin. Shumë nga stafi në Prishtinë dyshojnë se do të marrin vaksinën ndonjëherë”.
Në fund ajo ka mbyllur shkrimin me një lajm të “Washington Postit” ku theksohej se diplomatët amerikanë nëpër botë kanë shprehur shqetësim për shpërndarjen e vaksinave. /Gazeta Sinjali/