Vendet e Ballkanit Perëndimor janë në pritje të vlerësimit të Komisionit Evropian për zbatimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes, proces që do të përcaktojë edhe ndarjen e fondeve për secilin shtet.
Afati për dorëzimin e raporteve mbi reformat përfundon më 15 korrik, ndërsa më pas Komisioni Evropian do të shqyrtojë nëse obligimet e parashikuara në agjendat reformuese janë përmbushur. Pagesat do të realizohen vetëm për vendet që kanë zbatuar reformat sipas kritereve të përcaktuara.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, u ka bërë thirrje vendeve të rajonit që ta shfrytëzojnë maksimalisht këtë mekanizëm financiar, duke theksuar se ai synon të mbështesë reformat dhe zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor.
Në rastin e Kosovës, më 30 qershor përfundoi afati për realizimin e 13 hapave reformues, të cilët lidhen me një mbështetje financiare prej rreth 91 milionë eurosh. Po atë ditë përfundoi edhe periudha shtesë e lejuar për zbatimin e reformave që ishin vonuar për shkak të krizës institucionale.
Sipas rregullores së Planit të Rritjes, reformat që nuk përmbushen brenda afateve të përcaktuara mund të çojnë në humbjen e fondeve të parapara, të cilat më pas mund të rishpërndahen te përfituesit e tjerë të këtij instrumenti financiar.
Vendimi përfundimtar i Komisionit Evropian pritet pas analizimit të raporteve që vendet e Ballkanit Perëndimor do të dorëzojnë deri në mesin e muajit korrik.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!