image Kosova aplikon zyrtarisht për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Kosovë

Kosova aplikon zyrtarisht për anëtarësim në Këshillin e Evropës

news image

Republika e Kosovës ka aplikuar edhe zyrtarisht për anëtarësim në Këshillin e Evropës, raporton Gazeta Sinjali.

Kjo u bë e ditur përmes një postimi në rrjetin Twitter nga shefi i kabinetit të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ku thuhet se Donika Gërvalla Schwarz ka përfunduar takimet në Këshillin e Evropës dhe ka dorëzuar dosjen e aplikimit personalisht.

“Gërvalla Schwarz ka përfunduar takimet në KiE, ku ka dorëzuar personalisht aplikimin. Mund të konfirmoj: Qeveria e Republikës së Kosovës ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim të plotë në Këshillin e Evropës”, thuhet në postim.

Ndryshe, kohë më parë është paralajmëruar se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshill të Evropës në muajin maj.

Gazetari gjerman Michael Martens në një shkrim në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung me titull “Rusia jashtë, Kosova brenda?”, pati raportuar se Kosova së shpejti mund të jetë anëtari më i ri i Këshillit të Evropës.

Martens në shkrimin e tij më tej thekson se Qeveria e Kosovës po planifikon të aplikojë për anëtarësim në KiE pas zgjedhjeve në Francë, ndërsa kjo pastaj mund të çojë në pranimin e Kosovës në vitin 2023.

E para disa dite lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në KiE, ka folur edhe deputeti gjerman, Knut Abraham.

Ai ka thënë se pas përgjigjes inkurajuese të Qeverisë gjermane për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, hapi tjetër do të ishte që Kosova të dorëzojë aplikacionin e saj, më së miri tani, në mënyrë që të diskutohet në seancën e ardhshme të Komitetit të Ministrave në Torino më 20 maj.  

Ndërkohë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë sot se është bërë gjithçka që është e mundshme për sigurimin e votave për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Çfarë është Këshilli i Evropës?

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Është themeluar më 1949.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.

Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

Dy trupat kyçë të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.

/GazetaSinjali/