Ambasadori Amerikan në Kosovë, FhiIip Kosnett, është pritur pas dite nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.
Për takimin me ambasadorin Kosnett ka njoftuar Haradinaj, i cili ka theksuar se kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike, me theks të veçantë, zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ka falënderuar ambasadorin për qëndrimin e shtetit të tij, në konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të Kosovës.
“Takim i rregullt dhe përmbajtjesor me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett me të cilin diskutuam mbi zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë, zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 Tetorit, proces ky për të cilin Kosova ka treguar nivel të lartë të demokracisë. Falënderova Ambasadorin Kosnett për qëndrimin e tij konsistent, që Kosova t’u prijë përpara proceseve që çojnë në konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të vendit. Shpreha si gjithmonë, mirënjohjen e posaçme për rolin jetik që ShBA-të kanë pasur për Kosovën, si aleat i fuqishëm i yni”, ka shkruar Haradinaj.
Gjatë ditës, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, ka takuar edhe ambasadorin gjerman dhe atë italian në Kosovë.
Ambasadat e vendeve të QUINT-it në Kosovë, kanë bërë thirrje për zgjedhje të lira e demokratike si dhe për fushatë fer nga partitë politike.
Ambasadorët kanë porositur posaçërisht partitë politike që mos të blejnë votat e qytetarëve dhe që mos të bëjnë premtime për punësime në sektorin publik, në këmbim të votës. /Gazeta Sinjali/