image Koronavirusi po bën kërdi në Kuvend, infektohen edhe dy deputetë

Shëndetësi

Koronavirusi po bën kërdi në Kuvend, infektohen edhe dy deputetë

news image

Ditëve të fundit në seancat plenare jo të gjitha ulëset kanë qenë të zëna, jo për faktin e njohur tashmë që përfaqësuesit e popullit ndonjëherë mungojnë pa arsye, por për shkak të COVID-19.

Përveç Kryekuvendarit, Glauk Konjufca dhe nënkryetares së Kuvendit, Saranda Bogujevcit me koronavirus janë infektuar edhe disa deputetë, shkruan Gazeta Sinjali.

Së fundmi pozitiv ka rezultuar deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, i cili ka treguar se ka simptoma jo edhe të lehta.

“Pas testimit, kam marrë konfirmimin se kam rezultuar pozitiv me COVID-19. Edhe pse i vaksinuar me dy doza, virusi ka simtoma jo të lehta, e në veçanti për ata që kanë probleme tjera shëndetësore”, ka shkruar Tahiri.

Virusi e ka prekur edhe deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiun mirëpo ai ka thënë se deri më tani ka simptoma të lehta.

“Pas dy testimeve të bëra në 24 orët e fundit rezultova pozitiv me COVID-19.  Në këto dy vite të pandemisë për herë të parë kam rezultuar pozitiv. Duke qenë i vaksinuar me dy dozat  e vaksinave, simptomat janë të lehta. Bazuar në rekomandimet e IKSHPK-së në ditët në vijim do të jem në izolim, derisa të rezultoj negative”, ka shkruar Haxhiu.

Ditë më parë pozitiv me koronavirus ka dalë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Vetëm në 24 orët e fundit në Kosovë janë regjistruar 2.390 raste të reja me COVID-19. /GazetaSinjali/