Edhe pse në kohë pandemie po vazhdon prerja ilegale e drunjvë shumëvjeçarë, në Parkun Kombëtar të maleve të Sharrit. Pas adresimeve të pandërprera të grupeve të interesit rreth dukurisë së prerjes ilegale të pyjeve, mekanizmat relevantë në Komunën e Kaçanikut janë takuar me përfaqësues të Parkut Kombëtarë.
Përfaqësues të partive politike, zyrtarë policorë të stacionit të policisë në Kaçanik, përfaqësues komunalë dhe përfaqësues nga shoqëria civile, kanë diskutuar për format konkrete si dhe shtimin e bashkëpunimit me përfaqësuesit e Parkut Kombëtar Sharri për të luftuar dukurinë e prerjes ilegale të pyjeve.
Pas këtij takimi si rrjedhojë e diskutimeve për të iniciuar dhe ndërmarrë veprime konkrete u formua Task forca e cila do të merret në vazhdimësi me këtë problematikë dhe në përbërjen e saj përfshin institucionet lokale si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Me formimin e Task Forcës, u panë nga afër dëmet që janë bërë nga njerëzit e pandërgjegjshëm në Parkun Nacional Sharri. Grupi i Task Forcës nga Komuna e Kaçanikut kërkuan edhe nga institucionet e tjera shtetërore që të japin maksimumin dhe të mos dorëzohen karshi këtyre shkatërrimtarëve të pamëshirshëm të natyrës sonë.
Kjo Task Forcë premtoi se do të përdorë të gjitha mekanizmat legale në monitorimin pyjeve dhe në ndalimin e shkatërrimit të tyre nga prerësit ilegal dhe për këtë kërkojmë ndihmën e të gjithëve.
Ky grupi thotë se “nuk do t’ju nënshtrohet asnjë kërcënimi nga askush dhe do të kërkojmë përgjegjësi nga institucionet përgjegjëse të cilët marrin paga nga institucionet e Kosovës për mbrojtjen e pyjeve dhe aseteve natyrore të shtetit, sepse këto janë pasuritë e të gjithëve e jo të individëve apo të grupeve të caktuara kriminale që i keqpërdorin asetet publike për interesa të ngushta personale”.