Zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka kërkuar përgatitjen urgjente ndaj koronavirusit, në mënyrë që të jemi të përgatitur për vikend.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka shkruar se institucione përkatëse duhet të ndërmarrin masat e nevojshme sot e nesër, në mënyrë që për vikend të jemi të përgatitur..
“Materialet e domosdoshme shpërndahet nëpër qendrat mjekësore në të gjitha komunat, tek policia, doganierët, policët kufitarë dhe të gjitha shërbimet e tjera emergjente. Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes përgatisin objektet e nevojshme në rast nevoje për vendosjen personave të prekur si dhe hyrjet/daljet e qytetarëve nga Kosova kontrollohen nga personeli shëndetësorë”, ka shkruar Hoti.
Derisa, ka përmendur edhe punën e bizneseve në Kosovë, të cilave u ka kërkuar të mos i rrisin çmimet e produkteve.
“Bizneset luten të kryejnë punën e tyre me nder e përgjegjësi, të mos lëvizin çmimet, dhe institucionet përkatëse kryejnë kontrollet në terren (në markete, në farmaci dhe pika të tjera ku ofrohen materialet bazike) bazuar në kompetencat ligjore që kanë këto institucione në situata të tilla”, ka shkruar Hoti.
Po ashtu, ka kërkuar edhe nga mediat që ta kryejnë punën e tyre me përgjegjësi.
“Mediet publike dhe private luten të bëjnë punën e tyre me përgjegjësi dhe etikë gazetareske, duke kontribuar në informim të drejtë e të plotë të qytetarëve për masat që duhet ndërmarrë, por duke mos shkaktuar asnjë panik”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Deri tani në Kosovë nuk ka asnjë rast të shënuar me koronavirus./Gazeta Sinjali/