Ministria e Brendshme e Arabisë Saudite ka njoftuar se mbreti Salman ka marrë vendim për zgjatjen e afatit të orës policore deri në një njoftim të ardhshëm për shkak të përhapjes së koronavirusit.
Javën e kaluar, Arabia Saudite e vendosi kryeqytetin Riad dhe qytetet e mëdha në karantinë 24-orëshe si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Në pjesët e tjera të vendit, ora policore fillon në orën 3 të pasdites dhe mbaron në orën 6 të mëngjesit.
Shteti me 34 milionë banorë deri më tani i ka regjistruar 4 mijë e 33 raste të infektimeve dhe 52 viktima të koronavirusit. Kjo është shifra më e lartë në mesin e gjashtë shteteve arabe të Gjirit Persik, ku numri i përgjithshëm i rasteve ka shkuar në 13 mijë e 200 dhe janë shënuar 88 viktima.
Arabia Saudite i ka ndërprerë fluturimet ndërkombëtare dhe pelegrinazhin e umres dhe e ka mbyllur shumicën e hapësirave publike. Edhe shtetet e tjera të Gjirit Persik kanë marrë masa të ngjashme.
Shumica e të infektuarve në këtë rajon janë punëtorët me paga të ulëta, shumë prej të cilëve jetojnë në hapësira të mbingarkuara, shkruan “Reuters”.