Në Klinikën Infektive në QKUK është duke u trajtuar një paciente, shtetase e huaj, nën dyshimin se mund të jetë prekur nga koronavirusi. Në mesnatë pritet të dalin rezultatet e analizave të saj, raporton Gazeta Sinjali.
Drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajazaj-Berisha ka thënë se pacientja është izoluar dhe janë duke u pritur rezultatet nga Instituti Kombëtar.
“Rreth orës 17:00 është pranuar një rast, e cila nuk ka pasur ankesa, një lodhje dhe një kollë para tre dite, pa temperaturë dhe pa manifestime tjera klinike… Është bërë izolimi i pacientes për shkak të sigurisë, deri në marrjen e rezultateve nga Instituti Kombëtar dhe të shohim për ecurinë e më tejshme”, tha ajo.
Kurse Dr. Naser Ramadani ka njoftuar se analizat bëhen si në çdo shtet tjetër evropian, pasi Kosova është ndër shtet e para që ka siguruar materialin e nevojshëm shëndetësor për të diagnostikuar koronavirusin.
“Duke pasur parasysh se mostrat në Laboratorin e Institutit Kombëtar bëhen me metodat më të sofistikuara dhe se i tërë materiali i nevojshëm, i cili është zbuluar që dy javë për diagnostikim, nuk ka pasur në histori të mjekësisë për këso lloj diagnostikimi, Instituti Kombëtar është i furnizuar si çdo qendër evropiane. Pritet që pas proceduarave laboratorike, diku pas mesnatës, të dal rezultati për pacienten”, u shpreh doktori. /Gazeta Sinjali/