Policia e Kosovës ka arrestuar njërin nga të dyshuarit që ishte i përfshirë në grabitjen e arit në Suharekë.
Bëhet fjalë për Korab Gashin, që ishte në arrati që nga nëntori i vitit të kaluar. Ai mësohet se është arrestuar sonte rreth orës 21:00.
Korabi është vëllai i Dukagjinit, që ishte vrarë gjatë konfrontimit me Policinë e Kosovës gjatë një aksioni të gjerë, nëntorin e kaluar që lidhej me rastin e grabitjes në argjendarinë ‘Diakos 2’, në Suharekë.
Policia që nga atëherë deri sot nuk arriti ta kap vëllain e Dukagjinit, Korabin, i cili sonte ra në prangat e Policisë.
Dukagjin dhe Korab Gashi, Bujar Basha, Leotrim Cakolli, Besart Istrefi dhe Trim Baraku ishin cak i Policisë mesditën e 30 nëntorit. Njësi të shumta policore zbarkuan në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë dhe realizuan kontrolle në shtatë lokacione të ndryshme.
Lokacioni ku u vra i dyshuari Dukagjini ishte lagjja Dragodan në Prishtinë, ku u kapën disa nga të dyshuarit, por që u parapriu një shkëmbim zjarri mes Policisë dhe Gashit.
Gjatë zhvillimit të operacionit, Dukagjin Gashi dyshohej se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë, të cilët në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë të dyshuarin.