Një kontroll rutinë i Policisë në Prishtinë ka çuar në zbulimin e municionit në një veturë, mëson Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur më 4 maj 2026 rreth orës 02:20, në rrugën “Bajram Bahtiri”, ku njësia policore ka ndaluar një veturë të tipit Mitsubishi me targa 01.
Në automjet ndodheshin shoferi Avni Luzhnica (25-vjeçar) dhe tre pasagjerë, ndërsa gjatë kontrollit janë gjetur dy fishekë të armës së shkurtër me gas.
Në vendngjarje kanë dalë njësia e hetimeve dhe krim-teknika, të cilat kanë bërë sekuestrimin e fishekëve si provë materiale.
Shoferi është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës, ku ka deklaruar se vetura është në pronësi të dajës së tij dhe se nuk ka qenë në dijeni për praninë e fishekëve.
Ndërkohë, tre pasagjerët janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve.
Në konsultim me Prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar si “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!