image Kontrolli i sallës sportive në Leposaviq, shefja e UNMIK-ut: Veproni me përmbajtje e konsultohuni me komunitetin lokal

Kosovë

Kontrolli i sallës sportive në Leposaviq, shefja e UNMIK-ut: Veproni me përmbajtje e konsultohuni me komunitetin lokal

news image

Shefja e Misionit të UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh, është duke ndjekur me kujdes zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, përfshirë veprimet që janë ndërmarrë sot në objektin sportiv komunal në Leposaviq, raporton Gazeta Sinjali.

Në një reagim të misionit të UNMIK-ut, Ziadeh thekson se hapësirat publike janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e të rinjve dhe të komunitetit, duke i dhënë prioritet zhvillimit social dhe kulturor në rajon.

Ajo theksoi gjithashtu se qasja në sport është e lidhur ngushtë me të drejtat e njeriut.

“PSSP Ziadeh po ndjek nga afër zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, duke përfshirë edhe veprimet e sotme në objektin sportiv komunal në Leposavić/Leposaviq. Hapësirat publike janë jetësore për zhvillimin e të rinjve dhe të komunitetit”, u shpreh misioni i UNMIK në platformën “X”.

Për më tepër, misioni i UNMIK-ut i inkurajon të gjithë të interesuarit që të veprojnë me përmbajtje dhe të angazhohen në konsultime të hapura dhe kuptimplote me komunitetin lokal, për të shmangur ndërprerjen e qasjes në shërbime dhe për të krijuar një klimë besimi.

“PSSP-ja i nxit të gjithë të interesuarit të veprojnë me përmbajtje dhe të angazhohen në konsultime kuptimplote me komunitetin lokal – për të shmangur ndërprerjen e qasjes në shërbime dhe për të ndërtuar besim”, thuhet në reagim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/