Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe me urdhër të Gjykatës kompetente është duke zhvilluar një aksion në kuadër të hetimeve të rastit ‘Brezovica’, ku po bastisen disa lokacione në lagjet e njohura të Prishtinës, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se Policia po kryen kontrolle në tetë lokacione në Prishtinë, saktësisht në lagjet Dardania, Mati 1, Universiteti dhe Fshati Ndërkombëtar. Po ashtu janë kryer bastisje edhe në komunën e Podujevës dhe të Fushë Kosovës.
Sipas prokurorit të rastit, Rasim Maloku, deri më tani janë arrestuar shtatë persona, teksa është bërë e ditur se aksioni po vazhdon ende.
Sinjali mëson se tashmë Prokuroria ka urdhëruar ndalimin policor për personat që janë subjekt i urdhrit të kontrollit.
Mësohet se deri më tani janë duke u sekuestruar sende të luajtshme si kompjuterë, laptopë, USB, telefona, para, armë dhe vetura në vlerë të konsiderueshme.
Ndryshe, Sinjali pak më parë raportoi se cak i bastisjes janë edhe pronat e pronarit të kompanisë ‘Al Trade’, Bajram Gashani dhe asamblistit të Vetëvendosjes në Prishtinë, Berat Lahu.
Ndërkohë aksionin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili tha se po vazhdon operacioni policor ‘Brezovica 6’.
“Policia e Kosovës, konfirmon se në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë ka vazhduar realizimin e operacionit policor “Brezovica 6”, ku informacionet dhe detajet rreth këtij operacioni, do të bëhen të ditura pas përfundimit”, tha Kelani.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.