U.d i presidentit të Kosovës, njëherësh edhe Kryetar i Kuvendit, Glauk Konjufca, bashkë me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kanë bërë sot homazhe në nderim të martirëve të Lybeniqit.
Konjufca ka thënë se plagët vazhdojnë të jenë të hapura, meqë ende ka shumë të pagjetur nga lufta në Kosovë.
“Ka plagë të hapura, sepse Serbia nuk po tregon se ku i ka fshehur të zhdukurit. Ky është një krim i shumëfishtë nga ana e Serbisë. Pra, përveç që ka masakruar rreth 14.000 civilë të pafajshëm, duke mos i kursyer fëmijët as gratë, Serbia i ka rrëmbyer trupat e tyre dhe i ka djegur apo fshehur nëpër lokacione të ndryshme, disa nga të cilët janë gjetur këto ditët e fundit”, ka thënë ai.
Ndërsa ka shtuar se nuk duhet të ndalemi kurrë së kërkuari drejtësi, dënim të gjenocidit serb, si dhe kriminelët të mos shëtisin të lirë nëpër Serbi.
“Asnjëherë të mos harrojmë se në këto masakra janë vrarë e masakruar nga forcat serbe edhe foshnja 18 muajshe, madje edhe gra shtatzëna. Kjo dëshmon për mizorinë dhe gjenocidin e Serbisë mbi popullin shqiptar”, ka shtuar Konjufca.
“Dora e drejtësisë duhet t’i arrijë dhe t’i ndëshkojë të gjithë ata që janë përfshirë në këto krime”, tha Konjufca.
E nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, ka thënë se duhet të sigurohet që drejtësia po vihet në vend, duke shtuar se do ta shtyjnë këtë çështje përpara. /Gazeta Sinjali/