image Konjufca: QUINT ka thënë se nuk ka Asociacion pa u kthyer serbët në institucione, të tregojnë a e kanë ndryshuar këtë qëndrim

Politikë

Konjufca: QUINT ka thënë se nuk ka Asociacion pa u kthyer serbët në institucione, të tregojnë a e kanë ndryshuar këtë qëndrim

news image

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka përsëritur se ka qenë qëndrim i QUINT-it që pa pjesëmarrjen e partive politike serbe në zgjedhjet e 23 Prillit që u mbajtën në katër komunat në veri, nuk mund të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe.

“Ftesa ishte shumë gjatë e hapur për partitë serbe për të marrë pjesë në zgjedhje. Nëse ka një projekt tjetër alternativ për me sfidu Kosovën, le të na tregojnë. Por nëse është me marrë pjesë në zgjedhje e me me i qeverisë institucionet demokratike, ajo në Republikën e Kosovës mundet me ndodhë vetëm në një mënyrë, kur qytetarët votojnë në mënyrë demokratike, jo me dhunë, jo me struktura paralele, jo me komanda e me dirigjime prej Beogradi. Institucionet e Kosovës nuk udhëheqen kështu. Lista Serbe e zgjodhi një rrugë tjetër që është me nejtë jashtë inistucioneve, me organizu ndonjë rebelim, apo çka po di unë sipas urdhrave të Vuçiqit. Ne nuk mund të pajtohemi me këtë skenar. Ne i kemi institucionet tona demokratike.

Konjufca tha se Serbia, po vazhdon të jetë pala destruktive duke mos respektuar marrëveshjen e Ohrit.

Konjufca ka thënë se Marrëveshja nuk ka kushtëzime dhe nuk mund të ketë pikënisje në bazë të një kushtëzimi.

“Marrëveshja nuk ka kushtëzime. Është gabim të ketë pikënisje në bazë një kushtëzimit. Sekuencimi i marrëveshjes, hapat sipas kohës që janë paraparë, janë vetëm ata që fillojnë pas nenit të dytë, pra ka sekuencime për aspektet tjera. Neni i dytë hyn në fuqi në momentin kur palët pajtohen për marrëveshjen. E cili është neni i dytë, që shtet të funksionojnë si shtete sovrane me të drejta reciproke ndaj njëra tjetrës. Serbia është duke e sfiduar këtë. Pra, po i mbyll sytë dhe po bëhet sikur nuk ka ndodhur asgjë me këtë marrëveshje. Po të mos ishte neni 2 që të hynte menjëherë në fuqi, Kryeministri Kurti nuk do ta nënshkruante këtë marrëveshje, sepse ajo atëherë do të fillonte me Asociacionin.

“Unë kam dëgjuar vendet e QUINT-it që kanë thënë se s’ka Asociacion pa u kthyer serbët në institucione. Të na tregojnë a është ndryshuar qëndrimi i vendeve të QUINT-it. Pyesni ata. Mund t’ju pajisë me deklaratën e tyre, ku thonë se s’ka Asociacion pa kthim në institucione. S’mund të kushtëzoni Asociacionin duke shantazhuar Kosovën nga Beogradi. Do të vini në Kosovë, regjistroheni në Kosovë, do të merrni pjesë në zgjedhje në Kosovë e do të mbushen institucionet me përfaqësues. Çfarë ndodhi, ata se bënë këtë, ne vazhduam rrugën tonë me zgjedhjen e kryetarëve të ri të komunave në veri. Pyesni kush e ka përgjegjësinë, përgjegjësinë e kanë ata që s’u regjistruan”, ka thënë Konjufca gjatë ditës së sotme.

Kujtojmë se të premten është  betuar kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Eden Arsiq.

Ndërkaq, në tri komunat tjera të veriut pritet që gjatë kësaj jave të përcaktohen datat për betimin e kryetarëve të rinj.  Ministria e Administrimit të Pushtetit ka thënë se datat për betimin e kryetarëve të zgjedhur të tri komunave veriore pritet të vendosen deri në fund të javës.

/GazetaSinjali/